Site icon PrishtinaPress

Këshilli i BE-së miraton planin miliardësh për Ballkanin Perëndimor, kushte për Kosovën dhe Serbinë

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, që nënkupton instrumentin e ri financiar në vlerë prej 6 miliardë eurosh për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

Ky plan do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të BE-së në vitet e ardhshme.

Për Kosovën dhe Serbinë parakusht do të jetë angazhimi në dialog dhe normalizimi i raporteve.

Parakushti për këto dy shtete është që të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve me synimin për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar.

Po ashtu të angazhohen në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërsa parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së në kuadër të instrumentit përfshijnë që partnerët të vazhdojnë të mbështesin dhe respektojnë mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, dhe të garantojnë respektimin e të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin  pakicave.

Exit mobile version