Telashet në familjet kosovare nuk po kanë të ndalur. Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë, një burrë kërkoi ndihmën e Policisë, duke e denoncuar bashkëshorten për dhunën që dyshohet se ka ushtruar ndaj tij.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në lokalin e viktimës, ku gruaja u kap me burrin e saj, pasi fillimisht e kishte paralajmëruar përmes telefonit se “kom me t’bo kërrsh, pse s’po e çelë telefonin”.
Sipas informacioneve të para, e dyshuara e ka ofenduar e sharë burrin e më pas i ka shkaktuar dëme në lokalin e tij.
Si rezultat i denoncimit, çifti janë intervistuar lidhur me rastin dhe kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj gruas është iniciuar rasti për “Dhunë në familje”.