Drejtori i televizionit T7, Leonard Kërquki, është shprehur se deputetët e pushtetit e kanë një hall të madh, pasi sipas tij, të gjithë kanë reaguar dje për protestën që do të mbahet sot në mbrojtje të fjalës së lirë.
Kërquki tha se nuk do ta kuptojë asnjëherë se si një pushtet që ka pushtet absolut të mos e bëjë asnjë punë.
“Kurrë s’kam me e kuptu, qysh është e mundur pushteti që i ka mbi 50 përqind nuk e bon asnjë punë, e tërë ditën merret veç me gazetarë?!”, tha Kërquki.
Ndërsa, deputetët e VV-së, Dimal Basha e Ardian Gola, në shkrimet e tyre në Facebook, kanë bërë thirrje që gazetarët të mos dalin në këtë protestë, pasi sipas tyre, kjo protestë nuk është për fjalën e lirë.
Përkundër reagimeve të deputetëve të pushtetit, Kërquki paralajmëroi dalje në protestën që do të mbahet sot nga ora 12:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në shenjë kundërshtimi për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.