Rrjeti i OJQ-ve AVONET, ka vlerësuar se Dogana e Kosovës nuk po e zbaton vendimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili ka marrë masa mbrojtëse për qumështin duke u bazuar në kompetencat ligjore.
Ky rrjet përmes një njoftimi dërguar mediave, ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me këtë.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim të vazhdimit të mbrojtjes së prodhimit vendor, ka vënë si prioritet që ti mbështes prodhimet vendore, por nga ana tjetër Dogana e Kosovës nuk është duke e zbatuar këtë vendim, gjë e cila është në kundërshtim të zbatimeve dhe vendimeve që merren nga institucionet e Republikës së Kosovës. Dogana e Kosovës duhet të respektojë vendimet dhe po ashtu të zbatojë të gjitha vendimet që janë në harmoni ligjore dhe që janë të bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës. Moszbatimi i vendimeve krijon dyshime që në këtë institucion, pra në Doganën e Kosovës, ka grupe të interesit të cilat pengojnë mbështetjen e prodhimeve vendore”, thuhet në një pjesë të kumtesës.
AVONET, kërkon nga Dogana e Kosovës që të zbatojë vendimin e MTI-së, që ka për synim mbështetjen e prodhimeve vendore.