Site icon PrishtinaPress

Kërkohet që dëmet e luftës të jenë temë e dialogut në Bruksel

Organizatat që merren me grumbullimin e fakteve për krimet e luftës kanë kërkuar nga Qeveria që dëmshpërblimi i dëmeve në njerëz dhe i dëmeve materiale nga lufta të jetë temë e dialogut me Serbinë. Ata kanë thënë se kërkesë e tyre ka qenë që nga fillimi i dialogut që kjo çështje të jetë pjesë e diskutimeve, por që nga asnjë Qeveri nuk është marrë parasysh.

Udhëheqësit e këtyre organizatave kanë thënë se qeveritë kanë bërë pak edhe në sigurimin e gjurmëve të krimit, për të cilën thanë se lejimi i zhdukjes së gjurmëve të krimit është përsëritje e krimit.

Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës, ka thënë se nga viti 2013 kanë kërkuar që dëmshpërblimi nga Serbia për krimet e saj në Kosovë të jenë pjesë e dialogut.

Ai tha se në Kosovë mbi 65 për qind e fshatrave kanë qenë të shkatërruar  nga shteti serb, duke mos përfshirë këtu dëmet në pronën shtetërore. 

“Qysh në fillim në 2013 kemi kërkuar që të jetë pjesë e dialogut dëmet e luftës, dëmet e popullatës civile që janë vrarë. Kemi njerëz të vrarë shumë të cilët duhet që të dëmshpërblehen nga shteti serb për krimet që ka bërë. Sa i përket dëmeve materiale ajo po ashtu patjetër duhet sepse është një vlerë e madhe të cilat janë bërë në mënyrë komanduese, administrative dhe gjitha dëmet janë bërë me projekte të caktuara. Në Kosovë dëmet diku kanë qenë 65 për qind të fshatrave të dëmtuar, janë miliarda të dëmtuara”, tha ai. 

Ai tha se asnjë Qeveri nuk ka dhënë maskimunin sa i përket çështjes së krimeve të luftës. 

“Vazhdimisht kjo ka qenë kërkesa jonë, çdo takim qoftë ndërkombëtar ka qenë kërkesë që dëmet e luftës herdokurdo duhet të nxjerrën në pah dhe të i jepet vlerësimi finalë për dëmshpërblimet e luftës. Kjo ka qenë dhe kështu kemi kërkuar edhe më njerëzit tanë që kanë shkuar në dialog. Së pari zbardhja e fatit të personave të zhdukur, viktimat e luftës të dhe dëmet materiale që i ka bërë Serbia në Kosovë. Kjo është me konvente ndërkombëtare të cilat ato herdokurdo Serbia do të përgjigjet sa më herët të kërkohet është aq më e mirë. As një qeveri nuk mund të them që e ka dhënë maskimunim në këtë drejtim, nga qeveri Thaçi e deri me sot as një qeveri nuk ka qenë e angazhuar sa duhet në krimet e luftës, në dëmet e luftës, në procesin e të zhdukurve”, tha ai. 

Jahir Bejta kryetar i organizatës “Ngritja e Zërit”, tha se si organizatë kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet qysh në fillim të dialogut me Serbinë.

Bejta tha se kanë hartuar 1 mijë e 200 padi, të cilat janë dorëzuar nëpër gjykata për kompensimin e dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia, por që të gjitha janë refuzuar, me arsyetimin se ato nuk janë kompetente të padisin një shtet tjetër, raporton EO.

“Me siguri se duhet që të jetë, pikërisht në vitin 2011 i kemi shkruar në mënyre zyrtare, Edita Tahiri që ka qenë kryenegociatore edhe i kemi dërguar konkluzion nga shoqata Ngritja e Zërit, që patjetër temat e para të jetë çështja e të zhdukurve, pastaj kompensimi i dëmeve edhe të tjerat. Kemi thënë në mënyrë decidive dhe implecite që po që së ndodh që të kalkulohen mos përfshirja e dëmeve ajo do të jetë barrë për ndonjë qeveri të ardhshme për arsye se jeta e njeriut edhe pasuri janë kategori kushtetuese dhe nuk ka as kush të drejt ti kalkuloj e as ti fal”, tha ai.

“Në këtë drejtim nuk është bërë sa duhet, por premtime janë dhënë më shumë nëpër fushata zgjedhore edhe në fillimi e punës që do të mblidhen dhe do të ngritën padi, po praktikisht edhe faktikisht nuk është punuar asgjë. Deri më tani janë 1200 dosje tërësisht, por të gjitha kanë ngel rrugës, vetëm 100 kanë shkuar tekë Gjykata Kushtetuese. Demotivimi është refuzimi, ato refuzohen. Të gjitha refuzohen, edhe është e njëjta përgjigje. Lejimi i zhdukjes së gjurmëve të krimit është përsëritje e krimit, vepër penale, do të thotë ne jemi duke përsërit krimin pasi që na ikin provat”, tha ai. /EO/

Exit mobile version