Prishtinë- Me arsyetimin se ka luhatur në mënyre serioze besimin e palëve gjatë zhvillimit të procedurave për pronën kontestuese në Veternik, përfaqësuesit e të dëmtuarve Gursel e Nexhat Sadikut po kërkojnë përjashtimin e gjykatëses Edita Çanta nga ky rast.
Përfaqësuesit e të dëmtuarve Sadiku, avokatët Bedri Avdullahu, Florim Shefqeti dhe Saranda Keqekolla-Sadiku, në kërkesën e 19 dhjetorit 2022, kanë thënë se gjyqtarja Çanta po e zvarrit rastin e rreth 3 hektarëve tokë në Veternik që dyshohet se të dëmtuarve u është marrë me dallavere dhe dokumente të falsifikuara, për çka janë hapur hetime.
Së fundi, është urdhëruar sekuestrimi i përkohshëm i kësaj prone, por që sipas avokatëve kjo është bërë me vonese nga ana e gjyqtares në fjalë. Sipas tyre, kërkesa e Prokurorisë ishte paraqitur më 7 nëntor 2022, kurse gjyqtarja ka vendosur më 18 nëntor, ndërsa ekzekutimi i këtij urdhri ishte bërë më 25 dhe 26 nëntor.
Avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se kanë pritur që ky urdhër të ekzekutohet menjëherë por që kjo nuk ka ndodhur.
“Prokurorja e çështjes na ka njoftuar se urdhri për sekuestrim të përkohshëm i është deleguar policisë për ekzekutim, siç ndodhë në të gjitha rastet, mirëpo që tek hetuesi i rasti është krijuar konfuzitet nga ana e gjyqtares së çështjes e cila me rastin e konsultës me hetuese, e njëjta kishte kërkuar që urdhri për sekuestrim të përkohshëm të mos ekzekutohet derisa të kalojë afat i ankesës”, është shprehur ajo.
Keqekolla-Sadiku ka shtuar se afati i ankesës nuk e ndalon ekzekutimin. Ajo përmend edhe afatin prej 48-orësh për të bërë kundërshtimin palët e treta, ndërsa thotë se ky kundërshtim është bërë pas afatit.
Arsyet e tjera, sipas saj, janë edhe mosinformimi për kundërshtimin e palës së tretë, mospajisja me urdhrin për sekuestrim si dhe mosmarrja ende e një vendimi për plotësim-kërkesën për sekuestrim që Prokuroria Themelore e ka paraqitur më 9 dhjetor 2021.
“Edhe përkundër urgjencës së çështjes, ende nuk e ka marrë një vendim. Pas interesimit tonë javën e kaluar, më saktësisht ditën e enjte, për arsye se pse nuk është lëshuar urdhri, gjyqtarja e çështjes është arsyetuar me faktin që prokurorja e çështjes nuk gjendet në punë, gjendet në pushim”, ka thënë Keqekolla-Sadiku, duke shtuar se nuk është e rëndësishme nëse prokurorja e rastit është në pushim apo jo.
Në anën tjetër, avokati Florim Shefqeti foli për caktimin e masës së përkohshme për këtë pronë, ku tha se është shumë e rëndësishme pasi prona është fituar kundërligjshëm.
“Në rastin konkret është e domosdoshme caktimi i masës për të cilën ne besojmë fuqishëm që gjykata do ta caktojë përsëri, pasi që është shumë e thjeshtë, pasi prona a objekti i kësaj procedure është fituar me vepër penale. Pse e themi këtë, e mbështesim në dy ekspertiza dhe prova të tjera relevante që janë procesverbale, deklarata, vendime, vërtetime që ja në nxjerrë vikendeve”, tha ai, duke shtuar që janë dy ekspertiza që vërtetojnë që vendimi me të cilin është fituar prona janë të falsifikuara”, ka thënë ai.
Në lidhje me këtë kërkesë për përjashtim, gjyqtarja Edita Çanta përmes telefonit ka thënë se nuk është e njoftuar.
“Nuk kam njohuri që kanë kërkuar përjashtimin”, ka thënë shkurt gjykatësja Çanta.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte lëshuar urdhëresë për sekuestrim të përkohshëm të rreth 3 hektarëve tokë në Veternik, ku pretendohet se përmes dallavereve dhe dokumenteve të falsifikuara kishte kaluar në emër tani të ndjerës Z.H. dhe më pas prona ka kaluar te djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe ka filluar punimet në këtë pronë.
Burime të “Betimit për Drejtësi” brenda prokurorisë kishin bërë të ditur se personat e dyshuar për falsifikim janë arratisur dhe se tanimë gjykata ka lëshuar urdhër-arrest për ta.
Për këtë rast “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar dhe ka mbajtur një debat në emisionin Tempus. Përmes këtij hulumtimi tregohej se si Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, për të njëjtat parcela kishte zhvilluar disa procedura gjyqësore në të njëjtën kohë dhe për lëndën e Nexhat e Gursel Sadikut kishte vendosur pas 7 vjetësh ndërsa në rastin e Z.H vetëm për 9 muaj, duke e bërë edhe pronare të këtyre parcelave.
Familja Sadiku kishte thënë se kjo pronë është e tyre për gati një shekull dhe se përmes ekspertizave kanë gjetur se dokumentet me të cilat Z.H. i kishte kaluar në emër të saj janë të falsifikuara dhe se përmes vendimeve të kundërligjshme atyre u janë marrë rreth 3 hektarë tokë në Veternik, vlera e të cilëve kap shifra të mëdha. Sipas tyre, të përfshirë në këto dallavere janë zyrtarë e persona me ndikim, duke përfshirë gjykatës, prokurorë, policë, avokatë si dhe zyrtarë të tjerë./BetimipërDrejtësi.