Site icon PrishtinaPress

Kërkohet paraburgim për shoferin që goditi me veturë gruan që vdiq në QKUK, s’i dha ndihmë e s’e lajmëroi policinë

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditëve ndaj të dyshuarit R.M, për veprat penale “Rrezikim i trafikut publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari R.M., më 7 gusht të këtij viti e ka shkelur me veturë të ndjerën Z.T., derisa e njëjta ishte duke lëvizur në vendkalimin për këmbësor

“Për pasojë derisa e ndjera Z.T.,- shtetase e Shqipërisë, ka qenë duke lëvizur – trupuar rrugën ne vendkalimin për këmbësor nga hyrja e lagjes”Iliria” për në anën tjetër te rrugës, me pjesën e përparme të anës se djathtë është goditur nga automjeti, si rezultat i së cilës fillimisht e ndjera dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe nga aty dërgohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)-Prishtinë, ku edhe ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se ekziston dyshimi se i pandehuri nuk i ka ofruar ndihmë personit të lënduar, tashmë të ndjerës Z.T., ku ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe nuk e ka njoftuar policinë dhe ambulancën,

“Po ashtu, për të pandehurin ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në pikën I, si ngasës i automjetit – tani i pandehuri nuk i ofron ndihmë personit të lënduar- tashmë të ndjerës Z.T., duke ikur nga vendi i ngjarjes dhe duke e lënë të ndjerën  pa i ofruar ndihmë si dhe nuk ka njoftuar numrat e emergjencës qe janë policia dhe ndihma e parë-ambulanca dhe për pasojë personi – tani i ndjerë  –  fillimisht ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe pastaj pas rreth dy ore ka ndërruar jetë në QKUK-në Prishtinë , me të cilën do te kryente veprën penale ‘Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’ nga neni 374 paragrafi 3 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.

I pandehuri, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga 7 gushti i këtij viti, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për dy veprat penale.

Exit mobile version