Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Musli Rexhepit i cili tentoi ta sulmonte fizikisht kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, gjatë një mbledhje në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Sipas aktakuzës Rexhepi i ishte drejtuar Jasharajt me fjalët “O plak po na i lë fëmijë pa shkollë, kam me të vra”.
Ai është ngarkuar me veprën “cenim i të drejtës në grevë”.
Lidhur me rastin është kërkuar një muaj paraburgim. Seanca për caktimin e paraburgimit do të mbahet të mërkurën.
“I akuzuari pasi kishte shkuar në shkollën ‘Ismail Qemaili’ në Prishtinë për ta dërguar mbesën e tij për mbajtjen e mësimit dhe kur e ka vërejtur se mësimi nuk po mbahet dhe arsimtarët janë në grevë, i njëjti ka hyrë brenda në shkollë ku ishte duke u mbajtur takimi i grevistëve me kryetarin e sindikatës dhe me të përfunduar ky takim, derisa tani i dëmtuari Rrahman Jasharaj po dilte nga takimi, i akuzuari duke përdorur forcë dhe kanosje serioze me qellim të pengimit të grevës në mënyrë të kundërligjshme e ka kanosur tani të dëmtuarin me fjalët ‘O plak po na i len fëmijët pa shkollë, kam me të vra’ dhe tenton që ta sulmojë por ndalohet nga të pranishmit me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë”, thuhet në aktakuzën me propozim për caktimin e masës së paraburgimit.