Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka kërkuar paraburgim ndaj dy të dyshuarve B.T dhe I.V.
Të dy ishin ndaluar me vendim të Prokurorit të Shtetit, të enjten më 18 korrik.
Ata dyshohet për keqpërdorim të kartelave të bankës apo të kreditit dhe vjedhje të identitetit dhe kredencialeve.
Të dyshuarit ngarkohen veprat penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” dhe “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë përdorur pa autorizim kartela bankare të llojit Master Card të një sistemi bankar ndërkombëtar, ashtu që kanë realizuar blerje online tek një biznes i Kosovës, duke iu shkaktuar dëm mbajtësve të këtyre kartelave”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.
“Po ashtu, të pandehurit, me dashje dhe me qëllim të shfrytëzimit pa autorizim ligjor të të dhënave të kartelave bankare të llojit Master Card, përmes aplikacionit “Telegram”, kanë siguruar të dhënat në mënyrë të kundërligjshme dhe më pas të njëjtat i kanë shfrytëzuar për të bërë blerje online nëpër biznese të ndryshme”.