Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar falje për statuset e shkruara para gjashtë vjetëve, por këtë nuk e pranon kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Menjëherë pas shkrimit në Facebook të ministrit Murati, ku u kërkonte falje familjarëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, ka reaguar Molliqaj.
Ai e ka ndërlidhur reagimin e Muratit me njoftimin e PSD-së se do të organizojnë protestë më 6 korrik, për ta kërkuar dorëheqjen e ministrit.
“Pendimi i vërtetë është dorëheqja. Shihni kalendarin: dy dite reagime në rritje dhe dy orë pas thirrjes së protestës, ministri Murati reagon. Tepër vonë për të qenë e sinqertë. Çdo kërkim falje ka qëllim amortizimin e revoltës. Dhe ruajtjen e vetës, kuptohet”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Ai ka thënë se “presioni nuk pranohet” dhe se protesta e planifikuar do të mbahet.
Ministri Murati ndërkaq ka thënë se postimet e vitit 2016 për veteranët i ka shkruar nga mllefi për “fryerjen e listave” në atë kohë. Ai thotë se u përulët kontributit të luftëtarëve dhe u ka kërkuar falje, pasi konsideron se ka përdorur gjuhë të gabuar.