Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, bëri thirrje publike të dielën nga Shkupi, që të hiqen kufijtë mes tre shteteve, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.
Ali Ahmeti tha se shembull konkret është ai i vendeve të Bashkimit Evropian që nuk kanë kufoj mes tyre.
“Unë jam ithtar shumë i fortë i Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. T’i heqim kufijtë siç i ka hequr Franca dhe Gjermania, të hiqen kufijtë mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës”, tha Ali Ahmeti në një debat televiziv.
Njëkohësisht ai është shprehur se shqiptarët duhet të jenë në koordinim të vazhdueshëm me SHBA-në dhe BE-në.
Kërkesa publike e Ali Ahmetit vjen në momentin më të rëndësishëm për shqiptarët në Maqedoni. Nga sot she për të paktën pesë muaj vendi do të udhëhiqet nga një shqiptar.
Ai është Talat Xhaferri, ish kryetar i Parlamentit të Maqedonisë dhe më herët, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në 2001 kur vendi ishte nën sundim ekstremist maqedonas dhe më në fund u arrit Marrëveshja e Ohrit.
Thirrja e Ahmetit shihet si një objektiv i madh dhe ambicioz dhe realizimi do të ishte lajm i mirë për të gjithë shqiptarët.
Ali Ahmeti për zgjedhjen e Xhaferit kryeministër
Të dashur qytetarë, vëllezër e motra,
Dita e madhe historike për të cilën punuam të gjithë bashkë, ERDHI! Nga sot vendi ynë ka Talat Xhaferin, si Kryeministër të parë shqiptar!
Rrugëtim të gjatë e të mundimshëm kemi bërë si popull për ta fituar atë që na takon ndër shekuj, pa pretenduar asnjëherë për të huajën, andaj është plotësisht legjitim gëzimi ynë i sotëm për këtë të arritur të madhe që dikur as nuk mund të imagjinohej.
Dikur në shtëpinë tonë na mohohej gjuha, arsimimi, punësimi nëpër institucione, na torturonte e shtypte pandalë sistemi i atëhershëm shtetëror, ndërsa sot po jetojmë barazinë si vlerë demokratike që e bënë këtë vend më të mirë dhe në prag të dyerve të Europës.
Marrëveshja e Ohrit ju dha tapinë shqiptarëve që të jenë dalzotës në shtëpinë e tyre.
Nga viti 2001 e këndej kemi thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, dëshmuam potencialin tonë si popull në drejtimin e shtetit tonë në çdo pozitë institucionale dhe u treguam vendimtarë në ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit.
Jam i bindur se Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të jenë vazhdimësi e punës progresive që kemi bërë deri më tani, gjithmonë në shërbim efikas të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe të përkushtuar për reformimin e tij në frymën europiane.
Përcjell urimet e mia më të sinqerta deri te Talat Xhaferi, anëtarët e kabinetit të tij qeveritar dhe ju uroj punë të mbarë në sfidat që i presin gjatë kësaj periudhe të qeverisjes.
Bashkë le të prijmë proceset jetike për të ardhmen tonë progresive, t’i themi JO Rusisë, PO Europës!