Site icon PrishtinaPress

Kërkesa e Delawie që Kuvendi mos ta votojë ushtrinë. Ja si përgjigjet Xhavit Haliti

Deklaratave të Ambasadorit Amerikan, Greg Delawie drejtuar deputetëve të Kuvendit për mos votimin e projektligjit për themelimin e ushtrisë, u është përgjigjur nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.

Kontaktuar nga Gazeta Express, Haliti ka shprehur bindjen se SHBA do ta ndihmojë Kosovën karshi këtij procesi. Ai është shprehur se themelimi i ushtrisë së Kosovës është domosdoshmëri  e vendit.

“Delawie që në ditën e parë ka bërë thirrje lidhur me këtë çështje. Deputetët dhe grupet parlamentare duhet ta analizojnë mirë dhe do të merren vesh me qëndrimet e NATO’së dhe të Amerikës. Në fund të fundit dëshira është shumë e madhe për ta bërë ushtrinë dhe do të bëhet”, ka thënë Haliti për Express.

Sipas tij, Kosova së bashku me NATO’në , SHBA’në dhe BE’në duhet ta gjejë një zgjidhje të pranueshme që të themelohet ushtria.

“Shpresoj dhe besoj që hapat të jepen shumë të matur dhe besoj që edhe ata do të na ndihmojnë ta realizojmë këtë domosdoshmëri  që ka Kosova për ta pasur ushtrinë. Unë nuk e di, po flas si politikan, së bashku me SHBA’n, NATON dhe BE do t’i gjejmë moduset e pranueshme për të gjitha palët që të kemi një forcë të armatosur që të jetë në përputhje me standardet e NATO’s”, thotë tutje Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës.

Tutje ai ka thënë se si deputetët ashtu edhe partitë politike duhet të jenë të përgjegjshëm dhe ta analizojnë situatën e të ndërmarrin vendime në përputhje me situatën.

“Ne nuk jemi në pozitë që askujt t’ia tregojmë vendin”, ka thënë ai.

E ambasadori Delawie  thotë se SHBA ka qenë e qartë se themelimi i Ushtrisë duhet të bëhet përmes ndryshimit të amendamenteve kushtetuese dhe se anashkalimi i këtij procesi mund të ketë pasoja për marrëdhëniet e SHBA-ve me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Nuk dua të spekuloj se çfarë pasojash mund të ketë, sepse ende ka kohë që Kuvendi ta bëjë gjënë e duhur dhe ta hedh poshtë këtë projektligj”, ka thënë Delawie.

Exit mobile version