Problemi me parkimin e automjeteve në Prishtinë është një problem i kahmtoshëm. Incidente të shumta eskalojnë në kanosje e përleshje si pasojë e mosmarrëveshjeve, për çka nevojitet edhe intervenimi i Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur të mërkurën në rrugën “UÇK” në Prishtinë dhe këtë herë në rast është e përfshirë një zyrtare policore.
Zyrtarja policore është kërcënuar nga një person, për shkak të një konflikti verbal për parkimin e veturës së saj, duke e bllokuar rrugën, në afërsi të një marketi.
Në bazë të informacioneve të para, policja i zuri në flagrancë disa persona, duke tentuar që t’ia lëvizin veturën e saj dhe aty dyshohet se plasi sherri.
Njëri prej tyre dyshohet se e ka kanosur policen, duke iu drejtuar me fjalët “Veç je femër se të kisha zhagitë nëpër Prishtinë”, thonë të njëjtat burime.
Përballë kësaj situate, zyrtarja policore e ka raportuar rastin dhe si rezultat i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”.