Anëtarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka bërë të ditur se është kërcënur me jetë nga një person në rrjete sociale, kurse PDK-ja u ka bërë thirrje organeve të policisë që të fillojnë hetimet.
Me postimin që ka bërë Eliza Hoxha, ka bërë të ditur se nuk është hera e parë që merr kërcënime të tilla.
“PASQYRË SHOQËRORE KOSOVARE. Prej se kam hy në politikë përditë të lume marr ofendime publike e edhe në inbox kot e kot… Liria me linqu dhe me stigmatizu në Kosovë është aq e jashtzakonshme sa që kalon në shkelje, abuzim dhe kërcnim të tjetrit ….krejt kjo në emër të lirisë së mendimit dhe veprimit. Kur kësaj ia shton faktorin gjinor ky presion dhe kjo luftë është edhe dy herë më e egër”, shkruan Hoxha duke i bashkangjitur postimit edhe fotografinë e kërcënimit.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe PDK-ja, përmes një komunikate për medie, ku ka ftuar organet përgjegjëse të ndërmarrin masat e nevojshme që ky person të sillet para drejtësisë.
“Partia Demokratike e Kosovës, i sheh me shqetësim kërcënimet që po ndodhin në rrjetet sociale, të motivuara nga aktualiteti politik, mosdurimi ndaj qëndrimit apo mendimit ndryshe dhe logjikës përjashtuese. Kërcënimi me jetë në rrjetin social kundër deputetes Eliza Hoxha, është shembull për të keq të degradimit të lirisë së shprehjes, duke u radhitur në vepra kriminale dhe të dënueshme, andaj presim që organet e drejtësisë të merren me rastin. PDK dënon ashpër çdo kërcënim, fjalor dhe veprim arrogant të motivuar nga cenimi i lirisë së tjetrit, andaj, ftojmë organet përgjegjëse të ndërmarrin të gjitha masat që kryesit e këtyre veprave të trajtohen sipas ligjit”, thuhet në reagimin e tyre.
Po ashtu, ODK-ja thekson se kanë tërhequr vërejtjen për ashpërsimin e fjalorit linçues të partive politike.
“Partia Demokratike e Kosovës, shumë herë ka tërhequr vërejtjen për ashpërsimin e fjalorit linçues të partive politike kundrejt oponencës në skenën tonë politike, në veçanti gjatë muajve të fundit, të shfaqjes së arrogancës së paparë dhe përçarjes, faktorë që ndikojnë dhe përcillen edhe tek anëtarësia e partive politike. Ky kërcënim, përbën vargun e kërcënimeve të palejueshme në shtetin tonë, për demokracinë dhe vlerat demokratike që ju bëhet deputetëve, drejtuesve apo anëtarëve të PDK-së, privatisht apo në rrjetet sociale, duke shpërfaqur mungesë të skajshme të kulturës, komunikimit dhe vlerave të demokracisë së vendit tonë nga persona të papërgjegjshëm”, thuhet në reagimin e PDK-së.