Site icon PrishtinaPress

Kërcënimi për vrasjen e politikanëve kosovarë dhe të Lulzim Bashës erdhi nga Maqedonia

Lajmi i konfirmuar zyrtarisht nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani mbi një skenar për të ekzekutuar kreun e opozitës Lulzim Basha është interpretuar si i paqenë nga kryeministri Edi Rama.

“Nuk ka asnjë skenar për të ekzekutuar kryetarin e opozitës. Ka pasur një informacion, që është trajtuar me seriozitetin më të madh dhe pavarësisht se gjithë ekspertiza tregon se informacioni nuk është mjaftueshmërisht i besueshëm dhe burimi është kontradiktor, janë marrë të gjitha masat njësoj sikur kjo ishte diçka realisht e vërtetë. Sepse patjetër që siguria e të gjithë njerëzve dhe pa diskutim dhe e kryetarit të Partisë Demokratike është prioritet numër një, nëse kërcënohet”, ka deklaruar Rama.

Ndërkohë, Top Channel ka mësuar nga burime policore se ka pasur një kërcënim, por jo nominalisht për Lulzim Bashën. Kërcënimi në një formë deklarate mësohet se ka ardhur rreth dy javë më parë nga një grup i vetëquajtur paramilitar shqiptar në Maqedoni. Ata kanë kërcënuar të gjithë ata politikanë, të cilët sipas tyre janë duke shkatërruar Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ndërkaq lajmi.net merr vesh se po i njëjti kërcënim u është bërë edhe politikanëve të Kosovës, për të cilin sot është deklaruar edhe kryeministri Isa Mustafa dhe Këshillit për Siguri të Kosovës.

“Jemi informuar se ka individë dhe grupe të cilët tentojnë të kryejnë veprime kundër bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe disa liderëve politikë. Individë të tillë janë të lidhur edhe me njerëz jashtë Kosovës dhe me shërbime të ndryshme të cilat nuk ia duan të mirën Republikës së Kosovës dhe e rrezikojnë rendin kushtetues dhe jetën e qytetarëve”, ka thënë Mustafa.

Po ashtu, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë obliguar edhe t’i mbulojnë me polici të gjitha rrugët kryesore që çojnë në drejtim të Maqedonisë dhe të kontrollohen të gjitha veturat dhe njerëzit në to, duke u mbajtur shënime dhe më pas ato tu përcjellën njësive të inteligjencave rajonale.

Përveç rrugëve kryesore, këta pjesëtarë obligohen të sigurojnë edhe të gjitha rrugët sekondare që çojnë po ashtu për në territorin maqedonas, e posaçërisht ato që qojnë në kishat më të afërta.

Exit mobile version