Alarmet e rrejshme për bomba në Prishtinë, kanë pasur efekt edhe në Zvicër. Ushtria e Zvicrës aktivizoi dy aeroplanë luftarakë për të shoqëruar aeroplanin e udhëtarëve që ishte nisur nga Prishtina.
Gjatë ditës së djeshme në Kosovë ka pasur alarme të shumta për vendosjen e mjeteve shpërthyese në objekte shkollore. E, një alarm për bombë ishte edhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës.
Pas kontrolleve që u kryen, rezultoi se alarmi ishte i rrejshëm dhe fluturimet vazhduan.
Por, si pasojë e këtyre alarmeve, efekte pati edhe shteti zviceran për shkak se në kohën e alarmit në Aeroportin e Prishtinës, një aeroplan ishte duke fluturuar drejt Cyrihut.
Autoritetet zvicerane të sigurisë me të marrë njoftimin, kanë aktivizuar dy aeroplanë luftarakë të tipit F/A-18.
Aeroplanët luftarakë që janë ngritur me urgjencë për të shoqëruar aeroplanin e udhëtarëve të linjës Prishtinë-Cyrih, kanë shkaktuar shqetësime të mëdha të zviceranëve.
Ata rrëfejnë për mediat zvicerane se kanë dëgjuar dy zhurma të mëdha supersonike, derisa kanë parë dy avionët luftarakë në një distancë jo të largët nga njëri-tjetri.
Ushtria kishte marrë alarmin rreth orës 18:50, derisa avionët kishin shoqëruar aeroplanin e udhëtarëve i cili arriti të aterronte pa probleme në Aeroportin Kloten të Cyrihut pas orës 20:00.