Site icon PrishtinaPress

Këngëtari italian Capossela: “Unë, Italia dhe bota shpirtërore përtej Adriatikut”. Koncert në Pejë, më 8 nëntor

Një shfaqje që gërmon në të kaluarën, shoshit të tashmen dhe shikon nga e ardhmja. Në Pejë, në ditën e mbylljes së “Peja Jazz Festival” performon kantautori multi-instrumentist (dhe shkrimtari) Vinicio Capossela, të martën, më 8 nëntor, në orën 20:00 në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”, (rr. Hasan Prishtina,73, Pejë). Koncerti realizohet me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë si pjesë e planit të promovimit të integruar “Vivere all’Italiana”. Para se të ngjitet në skenën kosovare, Capossela, gjithmonë me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, do të përformojë në Beograd (2 nëntor), Shkodër (4 nëntor), Tiranë (6 nëntor), dhe në Shkup (9 nëntor), si pjesë e turneut që pagëzoi “Ballkangiro”.

“Është një udhëtim vjeshtor që e kam dashur dhe i dëshiruar prej vitesh, saktësisht njëzet e gjashtë. Kanë kaluar shumë vite nga koha kur kam bërë udhëtimin tim të parë në atë që atëherë quhej Jugosllavi. Ishte si një botë që bisedonte me fëmijërinë time, një botë pasqyre përtej Adriatikut. Një çerek shekulli më vonë, sikur përtej detit që ndan Italinë nga Ballkani, pjesa e pazbutur e zemrës vazhdon të rrahë – thotë Capossela -. Pastaj, të këndosh në Kosovë ka një rëndësi të veçantë. Janë plagët e historisë që kanë shënjuar dhe vazhdojnë të shënjojnë këtë vend, i cili megjithatë shikon përpara dhe ëndërron Evropën, ku meriton të jetë me pasurinë e kulturës, që është një kryqëzim traditash të shumta. Edhe muzika ime është paksa e tillë: ka një jehonë të operës italiane, swing, rock mitologjik, tradita rurale, imititm të entuziazmit mesdhetar, por edhe pak “turbofolk” ballkanik”, shton ai.

Në këtë rrugëtim artistin italian e shoqërojnë Victor Herrero (kitarë), Andrea Lamacchia (kontrabas), Giovannangelo De Gennaro (viella dhe aulofone) dhe Vincenzo Vasi (theremin, perkusion).

“Jemi shumë të lumtur që Vinicio Capossela do ta kemi në Kosovë, konkretisht Pejë, të paktën për dy arsye. E para, sepse me produksionin e tij ka treguar gjithmonë afërsi me Ballkanin, kurse stili dhe tingujt e tij folklorikë kujtojnë shumë elemente të traditave muzikore të këtij rajoni. E dyta, sepse Kosova dhe veçanërisht qyteti i Pejës ka qenë gjithmonë i lidhur me Italinë, e cila që nga përfundimi i luftës ka pasur një rol aktiv në misionin paqeruajtës nën udhëheqjen e komandës rajonale të KFOR-it. Në popullatën e Kosovës, Capossela do të gjejë Italinë që nderon këngët e tij: atë të njerëzve të thjeshtë, të njerëzve që dinë të bëjnë më të mirën, që dinë të jenë bujarë”, theksuan Ambasadori i Italisë në Prishtinë. Antonello De Riu dhe Drejtori i Institutit Italian të Kulturës së Tiranës, Alessandro Ruggera./Prishtinapress/

Exit mobile version