Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka dhënë afat prej 30 ditësh Komuës së Prishtinës që ta harmonizoj vendimin për këmbim të pronës së komunës me pronë private. Kjo letër e MAPL-së vjen vetëm dy ditë pas vendimit për anulimin e konfirmimit për ligjshmërinë e vendimit lidhur me këmbimin e pronave në Prishtinë.
Ditën e sotme Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal përmes një letre i është drejtuar Komunës së Prishtinës lidhur me kembimin e pronave.
Në këtë dokument të siguruar nga Gazeta Insajderi theksohet se nuk mund të merret vendim për këmbimin e pronave pa u shfuqizuar vendimi për këmbimin e pronave i datës 14.06.2021.
“Prona e paluajtshme e komunës mund të këmbehet vetëm për sigurimin e pronës për qëllim të përmbushjes së interesit publik, në përputhje me kompetencat ligjore të nivelit të qeverisjes lokale. Kuvendi i Komunës, është kompetent të vendosë se cili është interesi publik në komunën përkatëse”, thuhet aty.
Komunës së Prishtinës i kërkohet që brenda 30 ditëve ta rishqyrtoj vendimin duke e harmonizuar me legjislacionin në fuqi.
“Kuvendi i Kryeqytetit të Prishtinës duhet të ndërmarr veprime benda afatit ligjor, prej 30 ditëve, të rishqyrtoj dhe të harmonizoj aktin në pajtim me legjislacionin në fuqi”, theksohet ndër të tjerash.
Kujtojmë se para dy ditësh ka anuluar vendimin për konfirmimin e ligjshmërisë së vendimit të Komunës së Prishtinës për këmbim të pronës komunale me pronën private.
Aty thuhej se ky vendim është marrë bazuar në të gjeturat e Komisionit për Rivlerësimin e ligjshmërisë së vendimit.
“Autorizohet Departamenti Ligjor dhe Monitorim të Komunave i MAPL-së, të bëjë shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit Nr.01-020/04-236518/23, i miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur me datë 21.12.2023, sipas kritereve të përcaktuara me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, Kreu X dhe Rregulloren (QRK) për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave”, thuhet në vendimin e siguruar nga Insajderi.
Procesi i këmbimit të prones ishte pezulluar ditë më parë edhe nga Ministria e Financave.
Ministria e Financave, kishte marrë vendim që të “pezullohet ekzekutimi i vendimit 01-020/04-236518/23 të dt. 26.12.2023 të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit lidhur me procedurën e vlerësimit të pronave të paluajtshme të cilat janë objekt i këmbimit përmes këtij vendimi të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit”.
Lidhur me rastin kanë nisur hetimet nga Prokuroria.
“Pasi Prokuroria e Shtetit është njoftuar nga mediumi juaj për dyshimet e ngritura në procesin e këmbimit të pronave, kemi filluar mbledhjen e informatave. Prokuroria Speciale tashmë ka filluar hetim parapenal për këtë rast”, thuhej në njoftim.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte thënë se vetëm i kanë zbatuar vendimet e ministrive të tjera, lidhur me këmbimin e pronave.