Site icon PrishtinaPress

“Këmbim tokash në favor të ish-klientëve të tij” reagon Përparim Rama: Vendimi ka ligjshmërinë e Ministrisë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë me një reagim lidhur me propozimin e tij për ndërrimin e pronës së Komunës së Prishtinës me disa parcela të dy biznesmenëve, që janë edhe ish-klientë të tij. Ai ka thënë se vendimi për këmbim i marrë nga Kuvendi i Kryeqytetit dhe ka marrë edhe ligjshmërinë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Rama ka thënë se nuk qëndrojnë raportimet se prona 8 hektarëshe e pronarëve privat do të këmbëhet me pronën rreth 20 hektarëshe të Komunës së Prishtinës, por vetëm me një pjesë të saj.

Këtë pjesë ka thënë se e përcakton Ministria e Financave

“Dua të sqaroj për qytetarët se vendimi për këmbim i marrë nga Kuvendi i Kryeqytetit, i cili vendim ka marrë edhe ligjshmërinë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e specifikon që prona 8 hektarëshe e pronarëve privat, do të këmbehet me një PJESË të pronës rreth 20 hektarëshe. Pra, vendimi i Asamblesë nuk këmben 8 hektarë dhe tërë parcelën 20 hektarëshe ashtu siç është keqraportuar në media. Këtë PJESË të vlerësimit të pronave, nuk e përcaktoj as unë si Kryetar e as Kuvendi i Kryeqytetit, por e përcakton Ministria e Financave në bazë të kritereve për vlerësim të pronave të definuara me legjislacion”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se Komuna do ta bëjë ekzekutimin e vendit, bazuar në vlerësimin final që do ta marrë nga Ministria e Financave.

“Komuna e Prishtinës  ashtu siç vepron në secilën procedurë të këmbimit të pronave, do ta bëjë ekzekutimin e vendimit në bazë të vlerësimit final që do ta marrë nga Ministria e Financave”, ka shkruar Rama.

Exit mobile version