Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi vlerëson se Bashkësia ndërkombëtare ka parashtruar kushtin e demarkacionit me Malin e Zi , si pikë për liberalizimin e vizave, ndaj është koha dhe momenti që ky proces të përmbyllet.
Sipas tij, jo-definimi dëmton seriozisht të ardhmen e shtetit tonë, prandaj, obligimet qeveritare që rrjedhin për qeverisje të mirë dhe funksionale në akordim me shtetet të cilat jemi në miqësi të përhershme, na obligojnë të kemi qëndrime parimore, edhe të dhimbshme, por, kur kemi para vetës dokumentacion të bollshëm dhe dokumentacion shkencorë, vendimet janë të domosdoshme.
Ky reagim i Kelmendit përmes një postimi në Facebook vjen pasi Komisioni i formuar nga Qeveria e Kosovës, i prirë nga kreu i këtij komisioni, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami dhe anëtarë të tjerë, ka nxjerrë një përfundim që është bërë publik edhe në media.
“Komisioni e ka lexuar raportin preliminar me të cilin u vërtetua se Kosova nga sipërfaqe territori që kishte 10. 887 km2 tani saktësisht ka një sipërfaqe prej 10. 905.25 km2, diferencë kjo prej 18.25 km2 (1825 hektarë) më shumë se që kemi mësuar gjatë tërë kohës”, ka shkruar Kelmendi.
Më poshtë ua sjellim deklaratën e plotë të Ramiz Kelmendit:
Interesi i shtetit të Kosovës është mbi interesin lokal dhe politik
Pasqyra reale e temës Demarkacioni me Malin e Zi, më se e qartë edhe pas Komisionit III.
Menaxhimi shtetëror është obligim që këtë interes qytetarë ta shtyjë përpara edhe përkundër sfidave të caktuara.
Komisioni i formuar nga Qeveria e Kosovës me vendim unanim për të trajtuar demarkacionin me Republikën e Malit të Zi, i ndërtuar nga dikasterët profesionalë dhe shkencorë, me potenciale edhe njerëzore, prirë nga kreu i këtij komisioni, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës z. Hivzi Islmai dhe anëtarë të tjerë, ka nxjerrë një përfundim transparent që është bërë publik edhe në media.
Komisioni e ka lexuar raportin preliminar me të cilin u vërtetua se Kosova nga sipërfaqe territori që kishte 10. 887 km2 tani saktësisht ka një sipërfaqe prej 10. 905.25 km2, diferencë kjo prej 18.25 km2 (1825 hektarë) më shumë se që kemi mësuar gjatë tërë kohës.
Jemi dëshmitarë se Komisioni me detyrë që të përcaktojë sipërfaqen e territorit që është paracaktuar nga e kaluara, jo nga ne, por nga dy republika të cilat asokohe ishin në kundërshtim të plotë me hapësirat territoriale të Kosovës, dhe si të tilla ishin gjithnjë në dëmtim të hapësirës territoriale të Kosovës, pra Komisioni i parë shtetëror, më pas edhe Komisioni i dytë ndërkombëtarë dhe ky komision i tanishëm, po sjellin rezultate të njëjta mes vete të sipërfaqes tonë.
Në anën tjetër kemi kundërshtime të cilat edhe janë këmbëngulëse, por të cilat ishte dashur të argumentoheshin me harta dhe dokumentacione valide të cilat rrjedhin nga literatura dhe dokumentet shkencore.
Nuk është as etike, as profesionale dhe as njerëzore që mënyra e komunikimit të ekspertëve të bëhet me linja ndërmjetësuese të qytetarëve.
Kjo çështje madhore e meriton, që të largohen xhelozitë strukturale, etiketimet dhe vlerësimet të profesionalizimit.
Do ishte më mirë që këto debate të bëhen me argumente të cilat për këtë lëmi janë dokumentacioni teknik, e jo llafet politike, meqë këto procese janë me interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Është e arsyeshme që kjo gjendje të trajtohet për shkak të ngritjes së emocioneve të qytetarëve të lokalitetit përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi – (Rugovës), por këto shqetësime nuk na japin të drejtë që ne të dëmtojmë interesat madhore të qytetarëve të mbarë Kosovës.
Nga kjo rezulton se këto kërkesa të qytetarëve edhe pse janë të arsyeshme nuk kanë qenë temë e tretmanit ndarës, por temë e përcaktimit, edhe pse, mendojë se është padrejtësisht, por realiteti në shumë raste për shqiptarët ka qenë i dëmshëm, ne nuk dëshirojmë të luajmë rolin që mundemi të përmirësojmë gabimet historike, por edhe nuk do kemi arsye të vazhdojmë me gabimet të cilat i kanë kushtuar shqiptarëve në të kaluarën.
Jo-definimi dëmton seriozisht të ardhmen e shtetit tonë, prandaj, obligimet qeveritare që rrjedhin për qeverisje të mirë dhe funksionale në akordim me shtetet të cilat jemi në miqësi të përhershme, na obligojnë të kemi qëndrime parimore, edhe të dhimbshme, por, kur kemi para vetës dokumentacion të bollshëm dhe dokumentacion shkencorë, vendimet janë të domosdoshme.
Bashkësia ndërkombëtare ka parashtruar kushtin e demarkacionit me Malin e Zi , si pikë për liberalizimin e vizave, ndaj është koha dhe momenti që ky proces të përmbyllet (një herë vjen vera ka dera, vera tjetër pas pesë vitesh citojë Tanja Fajon) sepse vonesat në kohë janë gabime historike, nuk duhet ti lëmë si qçëhtje të hapura. Kosova e meriton të kryej obligimet ndërkombëtare.
Duke e ditur se edhe unë jam pjesë e qeverisjes, rrjedhimisht kam marrë obligime të jem edhe pjesë e vendimeve të rëndësishme me interes të përgjithshëm qytetarë, ndaj dhe këtë më duhet ta bëjë, sepse besojë në punën e ekspertëve, besoj në punën e kryeministrit Mustafa dhe të qeverisë, besoj në njohuritë e mija që kam për këtë territor, që si i tillë është fakt.