Situata energjetike në vend veç po shkon duke u përkeqësuar. Korporata Energjetike e Kosovës ka aktualisht në prodhim vetëm dy blloqe të Termocentralit B. Pavarësisht kësaj, Qeveria po konsideron si të tejkaluar krizën energjetike. Nga KEK kanë vazhduar të heshtin për gjendjen e termocentraleve.
Korporata Energjetike e Kosovës është duke funksionuar me vetëm dy blloqet e Termocentralit Kosova B. Blloqet A3 dhe A4 të Termocentralit Kosova A janë ndalur për të rregulluar disa probleme, derisa për bllokun A5, s’po gjendet kompani e “përgjegjshme” për ta kryer remontin.
Nga kjo ndërmarrje s’janë përgjigjur kur janë pyetur për gjendjen e blloqeve dhe kohën kur do të kthehen në funksion. Njoftime për këtë çështje s’janë bërë as në faqen zyrtare të KEK’ut.
E ndonëse KEK po prodhon me vetëm dy blloqe, situata s’po i duket e rëndë partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Madje, kjo parti po konsideron se e ka tejkaluar krizën energjetike.
Para dy ditësh, VV’ja ka publikuar një video në faqen zyrtare në Facebook, lidhur me sektorin e energjisë.
Në fillim të videos, janë renditur disa prej projekteve që Qeveria Kurti i konsideron suksese të vetat, ani pse shumica e tyre kanë filluar gjatë qeverisjeve të kaluara. Thuhet se Qeveria Kurti ka treguar një menaxhim të suksesshëm në sektorin e energjisë, ani pse gjatë qeverisjes së tyre u kthyen reduktimet për herë të parë pas 10 vjetësh.
Edhe në këtë video, s’kanë munguar sulmet ndaj opozitës.
“Kemi bërë pra çmos dhe jemi duke bërë krejt çfarë është e mundur që këtë dimër ta kalojmë sa më mirë. Askush nuk do të lihet pas. Me gjithçka që vjen, do të përballemi së bashku, duke ju qëndruar krah qytetarëve. Ata që kanë filluar t’i fërkojnë duart për zhurmë në dimër është mirë ta fërkojnë kokën për keqqeverisjen e tyre në këtë vend”, thuhet në këtë video.
Sipas VV’së, i gjithë sektori i energjisë ka qenë në “rënie të lirë”, para se ata të vinin në pushtet.
Më herët thonë se s’kishte as MCC, as fonde e asgjë tjetër, por vetëm fjalë për gazin, gypat e tubat.
“Nga viti 1984, kur është ndërtuar Blloku B2 i Termocentralit nuk është investuar më në kapacitete prodhuese. Është privatizuar rrjeti i shpërndarjes KEDS’i për 26 milionë euro. Është refuzuar renovimi i kapaciteteve ekzistuese prej kompanisë gjermane Bilifinger. Është nënshkruar kontrata e dëmshme me Contour Global që edhe dështoi. I gjithë sektori i energjisë ka qenë në rënie të lirë përpara se të vinim ne në qeverisje. Nuk kishte as MCC, as fonde, as asgjë. Vetëm fjalë për gazin, për gypat, për tubat që nuk ishin as në rrjedha të kohës e të asaj çfarë po ngjanë në Evropë dhe botë”, thuhet në video.
Partia që udhëhiqet nga Kurti i shfaq në video edhe krerët e tri partive opozitare dhe i akuzon për keqqeverisje.
Aty thuhet edhe se Qeveria Kurti e ka tejkaluar secilën krizë, duke i llogaritur sit ë tejkaluara edhe krizën energjetike e inflacionin.
“Opozita te ne që po bën zhurmë rreth kësaj krize, që thuajse ne e sollëm, që thotë se kriza erdhi se ju nuk keni investuar vetëm tash duket qesharake. Dimrit do të jetë e trishtë të dëgjohet kjo zhurmë. Por, më e rëndësishmja është që jemi të gatshëm të përballemi me këtë dimër. Bashkë do t’ia dalim këtë dimër. Sepse kemi një qeverisje që deri më tani, secilën krizë ka arritur ta tejkalojë. Prej pandemisë, pasojave të luftës në Ukrainë, krizën me energji e inflacionit. Të gjitha bashkë. Me pasoja minimale sepse me angazhim maksimal”.
Në fund bëhet thirrje që të ndiqen udhëzimet për kursim, për një dimër më të lehtë.
“Bashkëpunimi në kursimin e energjisë do t’i rritë gjasat e do të na e bëjë dimrin më të lehtë të gjithëve. T’I ndjekim udhëzimet e ekspertëve, qeverisë e të gjitha qeverive evropiane e të kursejmë sa më shumë që mundemi energjinë elektrike”, thuhet në fund të videos.
Shtetet që e refuzuan Kosovën për kontrata afatgjate për importin e energjisë
Kosova e ka të domosdoshëm importin e energjisë gjatë dimrit. Por, edhe me importin mund t’i dalin probleme. Meqë shteti s’ka arritur të nënshkruajë kontrata afatgjate për import, përveç që do t’i duhet ta blejë rrymën me çmim shumë të shtrenjtë, do ta ketë edhe problem që ta sigurojë, meqë të gjitha shtetet janë në nevojë për të.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tregoi para një jave se kanë tentuar që të lidhin kontrata afatgjate për importin e energjisë me katër shtete, por që kanë refuzuar.
Shtetet me të cilat është tentuar të nënshkruhen këto kontrata janë Bullgaria, Maqedonia, Greqia dhe Danimarka.
“Masat që kanë sugjeruar disa mendjendritur që me ba kontrata afatgjate, është pa që asnjë shtet s’po mundet me nënshkru kontrata afatgjatë. Sepse edhe ata që e kanë energjinë nuk janë budallenj. Pse me ta ba kontratën afatgjate me 180 euro, kur çmimi është 1 mijë euro për MËh. Kemi tentuar me Bullgarinë, Maqedoninë, Greqinë, kemi tentu edhe me Danimarkën. Të gjithë thonë po e shohim, masnej thonë jo vetëm këmbim”, ka deklaruar Bislimi në ATV.
Bislimi tha Kosova po përballet me krizën energjetike shkaku i kapaciteteve të stërvjetëruara. Në situatën që gjenden, thotë se në çdo minutë mund të pëlcas ndonjë gyp.
“Ne e kemi krizën për arsye se i kemi kapacitetet e stërvjetruara, e në të cilat nominalisht kanë hyrë qindra miliona investime. Me pas hy investime sa është thënë nominalisht, ato ish dashtë me u dok si të reja. Po aty në çdo minutë mundet me pëlcit një gyp, sepse thotë ky gyp s’është prek nga 1970. Kjo është situata me kapacitetet ekzistuese. Edhe me u tranu, kapacitete ekzistuese s’mundesh me i ndryshu brenda 5 viteve”, tha Bislimi.
Ndryshe, nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.
Bazuar në statistikat e institucioneve në Kosovë, amvisëritë janë shpenzuesit kryesorë të rrymës totale që prodhohet në vend.