Site icon PrishtinaPress

KEDS sfidon Gjykatat, nuk kthen punëtorët në punë

KEDS kishte marrë vendim që për arsye ekonomike, teknike dhe organizative të mbyllë Departamentin e Projekteve në Operim, dhe si rezultat të gjithë të punësuarve në këtë departament iu ndërprejtën kontratat e punës. Edhe pse i kanë në duar vendimet pozitive për ta të Gjykatave, punëtorët janë ende në pritje të kthimit në punë.

Arbër Jashari

Punëtorët e KEDS-it të cilët u larguan nga puna rreth dy vjet më parë, ende janë në pritje për rikthim në vendet e tyre të punës. Rreth 100 punëtorë të larguar e kishin dërguar lëndën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kjo gjykatë kishte vendosur në favor të tyre, KEDS e kishte dërguar rastin në Gjykatën e Apelit. Mirëpo edhe Apeli kishte nxjerrë aktvendim që i jep të drejtë Gjykatës së shkallës së parë.

Në dhjetor të vitit të kaluar pas këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, punëtorët e larguar kishin tentuar të kthehen në vendet e tyre të punës, por nuk janë lejuar të futen brenda objektit të KEDS-it. Aty punëtorët janë ndalur nga policia e cila u kishte thënë që bordi menaxhues i KEDS-it ka vendosur që mos të lejohen të futen në objekt.

Kanë kaluar më shumë se 5 muaj që aktvendimi i Gjykatës së Apelit nuk po respektohet nga Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

I kontaktuar nga Gazeta Express, Reshat Gashi nga Sindikata e KEDS-it, tha se lënda gjyqësore për kthimin në punë të punëtorëve të larguar është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim ligjor dhe jemi duke pritur vendimin e gjykatës.

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, në mbledhjen e komisionit të datës 17.04.2019 në rend të ditës ishte: Diskutim në Komision lidhur me peticionin e Kryesisë së Federatës së Sindikatave të Pavarura ElektroKosova(FSPE) për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës për kthimin e punëtorëve në punë.

Në këtë komision kanë qenë të ftuar Valdrin Lluka Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Hilmi Jashari-Avokat i Popullit, përfaqësues të KEDS-it dhe përfaqësues të FSPE-së. Mirëpo përfaqësuesit e KEDS-it e kanë bojkotuar këtë takim.

Të kontaktuar nga Gazeta Express, KEDS nuk janë deklaruar për çështjen e mosrespektimit të vendimit të gjykatës për rikthimin në punë të punëtorëve të larguar. /GazetaExpress/

Exit mobile version