Gëzim Sveçla i Lëvizjes Vetëvendosje i ka thënë Blend Zymit, një investitori nga Prishtina që planifikonte të ndërtonte vila, se nuk duhet të presë favore nga Lëvizja Vetëvendosje për projektin në Batllavë.
Ndonëse është kryeasamblist i LVV-së në Prishtinë, Sveçla ka ndërhyrë t’ia kujtojë investitorit Zymi se Komuna e Podujevës nuk do t’ia lejojë atij ndërtimin e vilave në Batllavë pa u respektuar ligji.
Investitori Zymi, i cili prej vitesh merret me tregtinë e mishit, e ka publikuar bisedën në rrjetet sociale.
“Se spo du met shkru aty mu bo lajme për portale. A prite ti prej suxhukut me dal drejt në villa a? Mundesh me dal. Veç duhet me respektu ligjin”, i ka thënë Sveçla, Sveçlës.
Zymi e ka përkrahur ngjitjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet para zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit. Duke iu referuar mbështetjes së Zymit për LVV-në, Sveçla i ka thënë atij se ka gabuar “nëse ka pritur favore prej LVV-së”.
“Që ke lobu nja 5-6 muaj në FB për VV, ke gabi nëse ke prit favore. 15-16 vjet gjinja e bojnë këtë punë hakikat e nuk kcejnë si pula pa kry në vend e pa vend”, i ka thënë Sveçla.
Investitori Zymi, në një projekt të iniciuar bashkë me arkitektin Visar Geci, janë përballur me vështirësi gjatë realizimit të planit të tij për ndërtimin e vilave në Batllavë të Podujevës.
Zymi e akuzon Komunën e Podujevës, të qeverisur nga LVV-ja, për ndërhyrje gjatë realizimit të projektit në Batllavë. Për këtë rast, Zymi e ka paditur komunën kurse kjo e fundit ka thënë se janë duke zbatuar ligjin.
Në shkurt të këtij viti, në një deklarim për RTK-në, Zymi ka thënë se për projektin ka marrë pëlqim nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por Komuna e Podujevës i ka kthyer përgjigje negative për pëlqimin e lejes mjedisore.