KDI: Të hetohen tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë pandemisë

84
Advertisement

Në disa nga tenderët për pajisje mjekësore gjatë luftimit të pandemisë COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë, do të mund të kurseheshin mbi 60 mijë euro. Komisioni për mbledhjen e çmimeve referentenuk kishte bërë vlerësim të duhur të këtyre çmimeve, ku vetëm për doreza kirurgjikale në vend se të paguhej mbi 80 mijë, janë paguar rreth 160 mijë euro.

Advertisement

Kështu u tha sot në prezantimin e gjetjeve te Institutit Demokratik të Kosovës, nga monitorimi i procesit të tenderimit me produkte dhe pajisje medicinale gjatë luftimit të pandemisë. Të njëjtit të shtunën kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë, si dhe Autoritetit Kosovarë të Konkurrencës që të hetojnë tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë

Diana Metushi-Krasniqi tha se KDI ka analizuar nëntë tenderët që ishin shpallur nga Ministria e Shëndetësisë në periudhën prej 4 mars deri me 28 prill për furnizim me produkte medicionale.

“Këto procedura të gjitha ishin procedura të mbyllura, respektivisht procedura me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë. Atë që kemi gjetur është se sa i përket transparencës institucionale të gjitha dosjet e tenderëve, vendimet për përzgjedhjen e operatorëve të suksesshëm dhe të pasuksesshëm të tenderëve, njoftimet për nënshkrimin e kontratave ishin publike në platformën elektronike të prokurimit. Ndërsa, kërkesat shtesë sa i përket kërkesave që ishin me origjinë prej njësive kërkuese proces-verbaleve të negocimit, ftesat për ofertim nga Ministria e Shëndetësisë që iu ishin dërguar operatorëve ekonomikë dhe dokumente të tjera shtesë KDI i kishte siguruar përmes kërkesave për qasje në dokumentet publike”, tha ajo.

Sipas saj, të gjitha kërkesat që KDI i ka parashtruar MSH-së është përgjigjur, dhe ka ofruar qasje në këto dokumente publike.

E Liridona Behrami nga KDI tha se komisioni për mbledhjen e çmimeve referente, nuk ka bërë shpesh herë vlerësim të duhur të çmimeve, ku në disa tenderë, Behrami tha se do të mund të kurseheshin mbi 60 mijë euro.

“Kishte raste kur ky komision nuk kishte bërë vlerësim të duhur të çmimeve referente duke përfshirë në kalkulim çmimet jo normalisht të ulëta dhe jo normalisht të larta të deklaruara nga operatorët ekonomikë. Kjo është vërejtur në blerjet e dorezave kirurgjikale ku komisioni nëse do të kishte eliminuar çmimet jo normalisht të ulëta, dhe jo normalisht të larta në kalkulim, atëherë çmimi referent për njësi do të ishte 0,24 euro. Ku si shumë totale për të tre lotet të cilat janë kërkuar për doreza kirurgjikale atëherë do të kishte paguar 80 mijë e 709 euro, e jo 159 mijë e 71 euro. Rrjedhimisht do të kurseheshin mbi 60 mijë euro”, ka shtuar ajo.

Ani pse Ministria e Shëndetësisë kishte hulumtuar tregun, Behrami tha se nga 120 produktet e kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë kësaj kohe ky dikaster ka arritur të sigurojë furnizim për vetëm 70 prej tyre.

“Nga 120 produktet e kërkuara kishte arritur të sigurojë furnizim për vetëm 70 prej tyre në vlerë totale 7 milionë e 93 mijë euro. Ku kjo ka ardhur si pasojë e mos ofertimit të operatorëve ekonomikë, dhe si pasojë e rritjes tejet të madhe të çmimeve nga operatorët ekonomikë. Por, edhe në mungesë të vazhdueshme të hulumtimit të tregut nga MSH, në një kohë kur tregu ka pësuar ndryshime në baza ditore. Për të krijuar konkurrencë sa më të madhe Ministria e Shëndetësisë, kishte ftuar për ofertim nga 3 deri në 21 operatorë ekonomikë. Edhe pse ligji kërkon që autoriteti kontruktues të ftojë 3 deri në 6 operatorë ekonomikë. Është shqetësues fakti që vetëm një numër I vogël I operatorëve ekonomike I është përgjigjur këtyre ftesave”, ka shtuar Behrami.

Ndërkohë, që KDI u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit që të hetojnë të gjitha shpenzimet.

“Gjithashtu, kërkojmë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me hulumtimin e ngritjes së çmimeve nga Operatorët Ekonomik për produkte dhe pajisje medicinale, dhe të ndërmarrë masat përkatëse nëse dëshmohet manipulimi i tregut për përfitime më të mëdha në një krizë njerëzore”, ka theksuar ajo.

KDI ka gjetur se çmimet për produkte dhe pajisje të njëjta variojnë nga kontrata në kontratë, ku Ministria e Shëndetësisë në disa raste kishte arritur të sigurojë çmime më të ulëta deri në 42% nga vlera e parashikuar, ndërsa në raste tjera ky dikaster kishte paguar deri në 74% çmime më të larta.

Hulumtimi i plotë i KDI-së do të jetë i qasshëm për publikun në javën e ardhshme. /Telegrafi/

PostAdssFotoja e reklamës