KDI ka dalë me një deklaratë rreth udhëzimit administrativ për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore. Ata kanë thënë se pavarësisht rëndësisë së këtij udhëzimi, procesi i hartimit të tij është përcjellë me mungesë të transparencës dhe gjithëpërfshirjes.
“Madje, MAPL-ja ka vepruar në shpërputhje me standardet minimale për konsultime publike, duke e mbajtur të hapur në konsultim publik këtë udhëzim për vetëm katër ditë pune.”
KDI vlerëson që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale.
“Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi.”
“Specifikisht, udhëzimi kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore, si dhe paradoksalisht përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja, nëse nuk arrihet kriteri prej 20% të votuesve të regjistruar. Në anën tjetër, udhëzimi nuk ka precizuar se cila listë e votuesve do të merret për bazë në inicimin e kërkesës dhe zhvillimin e procesit të votimit.”
KDI rithekson që udhëzimi administrativ, përveç se në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave.
“Për zhvillimin adekuat të këtij procesi, është i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kësisoj, KDI i konsideron dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, si zgjidhjen më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime.”