Në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit në rastin “Subvencionet 3”, Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Salih Statovci, Afrim Abazaj e Kumrije Maxharraj janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa të akuzuarit Halit Avdijaj, Bejtush Gashi, Arbër Avdijaj dhe Sadush Kabashi, e kanë pranuar fajësinë.
Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë në seancën e së mërkurës, pasi që prokurori special Rafet Halimi lexoi përmbledhjen e aktakuzës.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për rastin “Subvencionet 3”, për veprat penale mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave, po akuzohen Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj.
I akuzuari Halit Avdijaj tha se e pranon fajësinë dhe shtoi se dhënien e ryshfetit e kishte bërë në formë dhurate.
“Nëse … me dhanë një sqarim, bëhet fjalë për një dhuratë, që e kam bo me vullnet, me vetëdije, po qysh ka ardhë deri tek kjo do të thotë kam apliku për grante 5 vite rresht në Ministri të Bujqësisë, nuk kam përfitu asnjë grant”, tha i akuzuari Avdijaj.
Ndërsa, i akuzuari Arbër Avdijaj deklaroi se e pranon fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës që i vihen në barrë.
Edhe të dy të akuzuarit Bejtush Gashi dhe Sadush Kabashi, e pranuan fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë.
Kurse, e akuzuara Kumrije Maxharraj e cila u deklarua e pafajshme, e quajti veten “të shenjtë” krahasuar me të tjerët.
“Me më krahasu me këta tjerët jam e shenjtë, jam e pafajshme”, tha ajo.
Të pafajshëm u deklaruan edhe të akuzuarit Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Salih Statovci dhe Afrim Abazaj.
Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve Halit Avdijaj, Arbër Avdijaj, Bejtush Gashi dhe Sadush Kabashi, u pajtua prokurori Halimi, e më pas e aprovoi gjykatësja e rastit Valbona Musliu-Selimaj.
Po ashtu, Gjykata ka aprovuar edhe propozimin e mbrojtjes që ndaj të akuzuarve të cilët kanë pranuar fajësinë, të bëhet veçimi i procedurës.
Ndërkaq, të akuzuarit të cilët nuk e pranuan fajësinë gjykata i ka njoftuar se brenda afatit ligjor prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Lidhur me kërkesat eventuale, gjykatësja Musliu-Selimaj tha se do të vendoset me vendim të veçantë jashtë seance.
Paraprakisht në këtë seancë, gjykatësja Musliu-Selimaj, njoftoi se gjykata ka ftuar edhe përfaqësuesit nga Avokatura Shtetërore, mirëpo të njëjtit përmes një parashtrese më 1 shtator 2023, kanë njoftuar se nuk mund të jenë të pranishëm në seancë për shkak të ngarkesave në punë.
Mirëpo, sipas gjykatëses Musliu-Selimaj të njëjtit me shkrim ishin deklaruar se e mbështesin aktakuzën e Prokurorisë dhe se paraqesin kërkesë pasurore-juridike.
Për pjesën e veçuar me të akuzuarit që kanë pranuar fajësinë, seanca e radhës për shqiptim të dënimit u caktua më 13 shtator 2023. /BetimipërDrejtësi