Sot është nënshkruar memorandum mirëkuptimi për financimin e projektit të pishinës gjysmë-olimpike në Podujevë.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë me këtë rast se sot është bërë edhe hapi i radhës drejt finalizimit të këtij projekti që kapë vlerën e katër milionë eurove.
“I lumtur që sot e bëmë hapin e madh drejt finalizimit të një projekti tjetër të madh në vlerë prej 4 milionë eurove siç është Pishina gjysmë-olimpike. Pas vendimit për caktimin e lokacionit kohë me parë dhe hartimit të projektit, sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për bashkëfinancimin e këtij projekti aq të nevojshëm për sportdashësit dhe ata që e duan notin”, është shprehur Bulliqi.
Sipas këtij memorandumi të mirëkuptimit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të financojë 3.5 milionë euro, kurse Komuna e Podujevës 500 mijë euro.
Projekti përfshin pishinën kryesore, pishinën për fëmijë dhe hapësirën e gastronomisë.
Sipas Bulliqit, kjo pishinë përveç që do të bëhet adresa ku do të zhvillohen gara ndërkombëtare e vendore në not, ajo do të mund të shfrytëzohet edhe për stërvitjen e sportistëve dhe rekreacion nga qytetarët e Podujevës.
Projekti është trevjeçar dhe përfshin vitet 2024, 2025 e 2026.