Deputeti i Partisë Demokratike, Ardian Kastrati, ka shprehur pakënaqësinë me presidenten Vjosa Osmani për komunikim të “fshehtë” me Lëvizjen Vetëvendosje rreth datës së zgjedhjeve. Këtë, Kastrati e quan favorizim të një subjekti politik.
Në një prononcim për Ekonomia Online, deputeti i PDK-së ka theksuar se presidentja është e obliguar që t’i konsultojë subjektet politike dhe t’i bëjë publike ato. Andaj, sipas tij një komunikim i fshehtë me VV-në nuk është transparent.
“Vjosa Osmani është Vjosa Osmani edhe shyqyr që kjo po ikë prej skenës politike, kësaj radhe ne do të falënderojmë edhe Kurtin se po kontribuon në këtë aspekt, e shfrytëzoi ashtu siç e kanë shfrytëzuar të tjerët dhe po i hedh në harresë të historisë politike. Ajo për aq sa do të jetë presidente do ta kryej obligimin kushtetues dhe të na tregojë se cilat janë ato data në mënyrë që ne t’i finalizojmë ato sepse siç e dini PDK-ja ka njoftuar për datën e vet sa më herë zgjedhjet edhe më mirë, mirëpo ju po e shihni që vetëm kemi hyrë në afatet e rregullta zgjedhore. Është e obliguar nga Gjykata Kushtetuese me u konsultuar me subjekte politike, konsultimi i parë ka ndodhur ne kemi qenë shumë konkret dhe kemi treguar për sugjerimin tonë të datës”, deklaroi Kastrati.
Deputeti i PDK-së i ka numëruar dështimet siç i quan ai të Qeverisë Kurti, që nga fillimi i mandatit e deri më tani. Tregon mungesën e investimeve kapitale dhe mungesën e njohjeve ndërkombëtare.
“Natyrisht që është mos respekt por natyrisht që është favorizim i një subjekti i caktuar politikë, në këtë rast Vetëvendosjes. Krejt çka mendoj është pa petkun e PDK-së, një qytetar i thjeshtë ulet dhe mendon se gjatë kësaj qeverisjes nuk kemi pasur asnjë investim kapital, asnjë njohje ndërkombëtare, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kemi 200 mijë që kanë emigruar që Kosova për shkak që nuk ka pasur vende të punës, gjatë kësaj qeverisje ke 300 milionë euro sanksione të cilat kanë pasur me qarkulluar në ekonominë e Kosovës. Po të ishte ekonomia e Zvicrës apo e Japonisë nuk do të vërehej shumë por edhe për ne edhe pesë euro janë të shumta. Gjatë kësaj qeverisje janë polarizuar në maksimum marrëdhëniet nder shqiptarët për shkak të Albin Kurtit me kryeministri e Shqipërisë, me Ali Ahmetin duke suportuar një koalicion që është pro rus në Maqedoni dhe duke i anashkaluar ata të Preshevës, ekonomia për toke dhe asnjë investim kapital e as projekt përveç një ure në Saradranë qesharake pesë metërshe”, ka thënë ai.
Kastrati potencoi se me ardhjen e PDK-së në Qeveri, do të hiqen sanksionet dhe do ta kthejnë mirëbesimin dhe partneritetin me ShBA-në.
“Nëse këto rezultate të bëjnë me votuar prapë për Vetëvendosjen, atëherë unë besoj që nuk ka racionaliteti por ka tifozllëk. Tifozë do të ketë gjithmonë në skenën politike, por ne jemi këtu t’i numërojmë të gjitha këto dështime. Dhe të formojmë një qeveri të së ardhmes e cila ka me pasur shumë vështirë me i rikuperuar këto dëme që janë gati të në linjat e parikuperueshmes. Por do të heq sanksionet do ta kthejë mirëbesimin dhe partneritetin me ShBA-në, pa të cilët Kosova nuk mundet me ekzistuar”, potencoi Kastrati.
Deputeti ka vlerësuar se vendimi i hapjes së urës së Ibrit dhe çështjet e tera në veri të Mitrovicës, Kurti i ka bërë për fushatë zgjedhore.
Sipas tij, hapja e urës është vetëm show politik dhe Kurti dëshiron ta hap vetëm si akt simbolik dhe për të marrë vota.
Veriun ky e ka përdorur si një lloj platforme për me konsolidua pushtetin e brendshëm, pra për karborantë elektrolak, për vota. Dhe me i kamufluar të gjitha këto probleme që i përmenda, ekonomi nuk ka, vende të reja të punës nuk ka, dhe tash natyrisht populli jonë kur ka të bëjë me një armikë siç është Serbia, homogjenizohet dhe paka kohë pas kohe harrohen këto problemet ekonomike, punësimi e të tjera. E ka bërë me qëllim që me mbuluar të gjitha dështimet që i ka pasur, dhe me u marrë vetëm me çështjen e Veriut, pra është vetëm një show mediatik për ata që ky vet i ka quajtur analfabet funksional. Tek rasti i urës, ky e dëshiron urën të hapur si akt si simbolik vetëm për vota, por jo ura të mbetet funksionale përgjithmonë dhe të ketë rezultatin final integrimin e komuniteteve atje. Ura mjafton t’i dhurojë një skenar sikur me ata pelivanat që u hedheshin prej urës me notu, dhe në momentin kur dikush hodhi një bombë ata i mbushën mbathjet dhe ikën”, shtoi ai.
Ai i sugjeron Kurtit të marrë një pushim të gjatë jashtë Kosovës e të relaksohet dhe “të kthehet pas disa viteve për të parë rezultate e qeverisjes së re”.
“Kurti jo vetëm mos me qeverisë më sepse i rendita të gjitha problemet, por ndoshta me marrë ndonjë pushim pak më të gjatë me ikë prej Kosovës disa vite, me u relaksuar pak edhe mu kthyer me pa rezultatin e qeverisjes së re këtu”, përfundoi Kastrati.
Ndryshe, dje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kanë marrë përgjigje nga shumica e partive politike, duke shtuar se edhe VV-ja ka dërguar propozimin e saj për datën e zgjedhjeve.