Site icon PrishtinaPress

Karantinat në Kosovë të pakontrolluara dhe pa ndihma adekuate

Qytete, fshatra, lagje e familje në Kosovë deri tash janë vendosur në karantinë si masë parandaluese ndaj COVID-19, megjithatë, këto vende po ballafaqohen me mungesën e mjeteve higjienike dhe ushqimore, por ka edhe raste kur banorët kalojnë zonën që është në karantinë nëpërmjet rrugëve dytësore.

Deri tani dihet që në karantinë është qyteti i Klinës, Vitisë, Malishevës, Qendra e Studentëve në Prishtina, dy fshatra të Gjilanit, katër fshatra të Podujevë, një familje në Suharekë, një fshat në Lipjan. Kurse, në Gjakovë, pasi doli se një çift i ardhur nga Gjermania është identifikuar me koronavirus. Ndërsa, iu është bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë pasur kontakt me çiftin në fjalë që të vet-izolohen derisa t’iu bëhen analizat për të vërtetuar nëse janë të infektuar apo jo.

Derisa, sot është shënuar edhe viktimën e parë, i cili është një 82 vjeçar nga fshati Dumnicë e Podujevës, të infektuar deri më tani janë identifikuar 31 persona, për të cilët thuhet se aktualisht gjendja është stabile.

Komunat e prekura me pandeminë COVID-19, thonë se po i zbatojnë rekomandimet e qeverisë dhe IKShPK, duke ndërmarr kështu masa mbrojtëse shtesë dhe duke respektuar rregullat e karantinës.

Disa prej përfaqësuesve të komunave të kontaktuan nga KP, njoftuan për masat dhe nevojat që kanë në këtë situatë.

Kryetar i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, nëpërmjet telefonit deklaroi se askush nuk po i ndihmon me ushqim kësaj komune dhe se banorët të cilët janë vendosur në karantinë po furnizohen nga kryqi i kuq dhe organizimet e brendshme komunale.

“Ne jemi t’u e mbajte situatën me forca vetanake, ushqime nuk ka siguruar askush përveç organizimeve të brend shme komunale që i kemi edhe nëpër fshatra, jemi t’u bashkëpunuar me kryqin e kuq, me organizata humanitare këtu brenda, me donatorë, me komponentë tona, pra me forca vetanake. Kemi shpërndarë 200 pako ushqimore këto ditë, ndërsa në aspektin e pajisjeve na kanë pru, shumë pak maska dhe mjete mbrojtëse por po presim me na pru më shumë”, tha Haliti për KosovaPress.

Haliti theksoi se situata në karantinë është nën kontrolle dhe se qytetarët janë duke e respektuar rregullat e saj. Kurse, sa i përket numrit të të prekurve me koronavirus, ai tha se vazhdojnë të mbesin shtatë persona të prekur me këtë virus.

Ndërsa, Nexhmi Rudari, nënkryetarë i komunës së Podujevës, thotë për se në pikat ku janë të vendosur Policia po zbatohet karantine, mirëpo banoret e katër fshatrave të vendosur në karantinë po dalin nëpër rrugë dytësore.

Rudari theksoi se kanë mungesë të mjeteve mbrojtëse.

“Sipas informatave të Policisë ku janë në rrugët kryesore që janë të asfaltuara, karantina respektohet qind për qind por sipas fjalëve ka banorë që dalin nëpër rrugë dytësore, nëpër ara por numri i tyre është tejet i vogël, ndoshta dalin me ble ndonjë gjësend….Sipas ekipeve mjekësore që bëjnë kontroll dhe vizita të rregullta nuk vërehen simptoma as te familjar të tjerë, e as te personat e tjerë…Ne do të respektojmë çdo masë që e ndërmerr niveli qendror….Kemi mungesë të mjeteve mbrojtëse por sa i përket ushqimit ne do të bëjmë çmos si komunë edhe me organizata të tjera siç është kryqi i kuq, që asnjë qytetar i joni në këtë pjesë të mos mbetët pa ushqim”, u shpreh Rudari.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj deklaroi se në këtë komunë janë pajisur me të gjitha masat e nevojshme kundër përhapjes së koronavirusit.

Muharremi theksoi se deri më tani në këtë komunë ka vetëm një rast me koronavirus.

“Kemi marrë shumë masa, gjendja në Suharekë është e qetë dhe pa panik, deri tash e kemi vetëm një raste një familje që ka ndodhë pardje në mbrëmje, menjëherë atë familje e kemi izoluar…Ne jemi një komunë që kemi një numër të madhe të diasporës, i kemi momentalisht në komunë tonë diku 117 që janë të ardhur, jemi në kontroll e kemi regjistrin e tyre. Unë shfrytëzoj rastin me falënderuar në rend të parë ekipin mjekësorë në Suharekë që po bën një punë të mrekullueshme, e kemi vendos shatorin, dhomën tjetër që nuk ka të bëj me qytetarët tjerë që shkojnë në QKMF, kemi bërë dezinfektimin në fshatra dhe qytete, të gjitha masat i kemi marrë me kohë, nuk kemi problem në Suharekë”, u shpreh Muharremaj.

E Hekuran Sejdiu, drejtor i shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në komunën e Klinës, thotë se aktualisht gjendja në këtë komunë është stabile.

Ai theksoi se stafi mjekësor është i përgatitur dhe se momentalisht nuk ka asnjë të prekur tjetër me koronavirus.

“Gjendja në komunën e Klinës për momentin është stabile, nuk kemi raste të tjera të paraqitura me koronavirus. Jemi në lëvizje të vazhdueshme në koordinim me Institutin dhe ministritë…Sa i përket stafit QKMF-së janë të përgatitur, janë në gatishmëri, të mbrojtur, pastaj ne vazhdimisht po përgatitemi sepse nuk e dimë se sa do të zgjatë dhe kur do të përfundojë, por në këto rrethana dhe për momentin jemi të përgatitur por besoj që kjo tani është në interes nacional. Ministria e Shëndetësisë po organizohet dhe mendoj që ata e kanë në fokus edhe situatën afatgjatë”, thotë Sejdiu.

Apel për qytetaret po vazhdon të bëjë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, sipas të cilëve nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar dhe zbatim të rekomandimeve.

Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!

Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!

Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratorë!

Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!

Lani duart porsa hyni në shtëpi!

Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!

Lani duart pas përdorimit të tualetit!

Lani duart s a më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!

Evitoni përdorimin e tualeteve publike!

Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!

Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hidhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!

Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!

Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!

Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!

Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!

Exit mobile version