Abuzimi me substanca narkotike dhe përfshirja e qytetarëve të vendeve të ndryshme në trafikimin e tyre vijon të jetë një problem serioz, jo vetëm në rajonin tonë por edhe në vendet e Evropës. Raste të tilla janë raportuar së fundmi edhe në Zvicër, ku janë ndaluar dy shtetas shqiptarë.
Javën e kaluar, rojet kufitare të Ticinos në Zvicër kanë ndaluar dy shqiptarë, një 28-vjeçar dhe një 30-vjeçar, të cilët po transportonin rreth 30 kilogramë kokainë në automjetin e tyre në rajonin e Mendrisiottos.
Sipas autoriteteve, droga ishte fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda automjetit dhe është zbuluar gjatë një kontrolli rutinë nga punonjësit e Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (UDSC). Dy të arrestuarit, që janë banues në Shqipëri, u kapën në flagrancë dhe u vunë menjëherë në pranga.
Në deklaratën e përbashkët të lëshuar të martën nga Prokuroria Publike, Policia Kantonale e Ticinos dhe UDSC, thuhet se hetimet janë duke u zhvilluar nën drejtimin e prokurorit publik Luca Losa. Qëllimi i hetimit është të zbardhë origjinën dhe rrugën që ka ndjekur kjo sasi e madhe kokaine.
Ndërkohë, të dy personat janë marrë në pyetje dhe tashmë janë zyrtarisht të akuzuar për shkelje të Ligjit Federal për Narkotikët. Mediat zvicerane raportojnë se hetimet për këtë rast janë ende në vazhdim dhe nuk përjashtohet mundësia e ndonjë përfshirjeje të personave të tjerë.