Seanca e Kuvendit të Serbisë për ndryshimin e akcizës vazhdoi në të njëjtin ritëm si gjatë zgjedhjes së ministrit të Ekonomisë Slobodan Cvetkoviq. Bllokada opozitare e parlamentit, pipësa e zhurma e tyre çoi kryetarin e Kuvendit, Vladimir Orliq, të reagonte, duke iu thënë opozitarëve se janë për turp dhe hajdutë të dëshmuar.
Derisa anëtarët e Qeverisë së Serbisë po hynin në sallën e Kuvendit, opozita bërtiste hajnat, ndërsa Orliq ia ktheu se nuk ka hajna më të mëdhenj dhe të dëshmuar se opozita.
“Kujt po i bërtisni, kur jo vetëm Serbia, por e gjithë bota e di se nuk ka hajna më të mëdhenj se ju dhe hajdutë të dënuar. Ju po i fryni ato vuvuzela, po goditni pronën e të gjithë qytetarëve të Serbisë, jeni gënjeshtarë të dëshmuar. Brutalë dhe të turpshëm. Me siguri Albin Kurti është i kënaqur, sepse nuk ka pas ndjekës më të mirë se ju”, u tha Orliq opozitës, të cilët po fishkëllenin dhe bënin zhurmë teksa qëndronin para tavolinës së kryetarit të Kuvendit.
Edhe ministrat u përpoqën të mbroheshin nga zhurmat me kufje, shkruan Danas.
Teksa lexonte amendamentet e propozuara në stilin e komentuesit të futbollit, Orliq herë pas here i thërriste me emër deputetët e opozitës, duke i nderuar me epitete.
Ai po ashtu ka deklaruar se “opozita nuk mund ta mposhtë Vuçiqin askund dhe kurrë dhe duhet të pyesni veten pse është kështu, nëse mundeni”.
Në fund, fjalën e mori ministri serb i Financave, Sinisha Mali, i cili tha se opozita nuk kishte asgjë të zgjuar për të thënë në seancë, por vetëm të “të bëjnë zhurmë dhe të bërtasin”.
Videon mund ta shihni në lajmin e Danas.