Site icon PrishtinaPress

Kaos në hyrje-daljet e Prishtinës (Pamje)

Vendimi i Komunës së Prishtinës dhe institucioneve qendrore të Kosovës për të ndaluar qarkullimin e automjeteve në zonën e qendrës së Prishtinës, ka krijuar tollovi në disa prej rrugët e kryeqytetit.

Policisë së Kosovës i ka dalë më së shumti punë gjatë orëve të mëngjesit për të ndalë fluksin e madh të makinave që vijnë nga qytetet e tjera të Kosovës.

Një gjendje e tillë kaotike shihet edhe në lagjen Dardania, ku policia e Kosovës po ndalon veturat që vijnë nga drejtimi i Fushë Kosovës dhe Mitrovicës, raporton Insajderi.

Komuna në bashkëpunim me policinë ka vendosur shirita në disa rrugë më të vogla për të penguar kyçjen e veturave në rrugët kryesore të qytetit.

Derisa, në rrugët periferike është krijuar kaos nga veturat të cilat nuk po gjejnë parkingje, në rrugët në qendër vërehet një fluks i rrallë i makinave, që ngjan më tepër me ditët e vikendit.

Komuna e Prishtinës ndëmori këto masa për reduktimin e qarkullimit të veturave në kryeqytet, pas alarmit për nivelet e larta të ndotjes. Qytetarët janë ankuar se vendimet e marra ad-hok dhe pa asnjë paralajmërim, po pengojnë lirinë e lëvizjes së tyre.

Ndryshe si faktor të tjerë të ndotjes në Prishtinë dhe rrethinë llogariten edhe tymtarët e Obiliqit si dhe përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje nga ekonomitë familjare.

Nga ana tjetër, shoqëria civile në vend ka paralajmëruar një protestë qytetare kundër ndotjes që do të mbahet sot në mesditë në qendër të Prishtinës.

  

Exit mobile version