Kampioni i sapo zgjedhur i Superligës së Kosovës në futboll, Ballkani e ka festuar me humbje titullin, duke u mposhtur nga Malisheva.
Malishevasit shënuan fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke e mposhtur Ballkanin me rezultat 2:3 në udhëtim, në kuadër të javës së 33-të në Superligë.
Sobowale shënoi qysh në minutën e 11-të të ndeshjes, kurse epërsinë e dyfishtë Malishevës ia dha Hasan Hyseni në minutën e 42-të.
Me prekjen e parë të topit, Albion Rrahmani shënoi gol me kokë, duke ngushtuar epërsinë në minutën e 60-të, por dy minuta më vonë Xhevdet Shabani e riktheu epërsinë e dy golave për mysafirët.
Krejt në sekondat e fundit, Ballkani shënoi edhe golin e dytë nëpërmjet Ermal Krasniqit, por ishte shumë vonë.
Me këtë fitore, Malisheva tani ngjitet në vendin e shtatë me 43 pikë dhe ikën nga pozita e tetë që dërgon në barazh.
Në anën tjetër, Ballkani është i pari me 70 pikë gjithsej dhe e ka siguruar matematikisht titullin e kampionit, të parin në histori të klubit.