Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se kryeministri Albin Kurti është duke i kërcënuar deputetët se vendi do të shkojë në zgjedhje nëse e votojnë projektligjin për Trustin, i cili do të dalë nesër në votim.
Haxhiu në emisionin ‘dPt te Fidani’ në T7 tha se përveç kësaj, Kurti po i kërcënon deputetët me të cilët ka koalicion se do t’i largojë nga koalicioni.
“Nëse deputetët lihen të lirë që në vullnetin e tyre të votojnë projektligji për trustin kalon, nëse vazhdon ky presion i pushtetit të Albin Kurtit mbi deputët e mazhorancës me kërcënime se vendi do të shkojë në zgjedhje nëse e votojnë trustin, ose se do t’i largojë nga koalicioni partnerët të cilët i ka, edhe të minoriteteve edhe të Listës Guxo, atëherë rrezikohet të mos kalojë”, tha Haxhiu.
Tutje ai tha se këto kërcënime ua kanë treguar deputetët e minoriteteve, por edhe deputetë të VV-së.
“Këto janë format e presionit që pushteti i Albin Kurti dhe vetë Albin Kurti është duke ua bërë deputetëve. Po na kanë thënë deputetët e mazhorancës këtë edhe deputetët e minoriteteve, por edhe deputetë tjerë të VV-së”, tha Haxhiu.
Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës, sot përmes një konference për media ka kërkuar nga deputetët e të gjitha partive politike që nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro pikës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës të cilët, siç thekson PDK, nga fillim viti 2020 po përballen me krizën financiare.