Deputeti i shqiptar i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se në Serbi, në praktikën e punës së policisë dhe gjyqësorit, gradualisht po kthehet në skenë “delikti verbal”.
“Dënohen apo kërcënohen të dënohen të gjithë ata që për çështjet e caktuara politike kanë qëndrim apo deklarim të kundërt nga narrativa zyrtare. Kërcënimet po bëhen histerike ndaj atyre që flasin për Kosovën shtet apo krimet e kryera në Kosovë”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Ai ka theksuar se rrahja e politikanit opozitar, Sandulloviq, kërcënimet e drejtorit të shkarkuar të BIA-s, Vullin, se “ka lënë në proces shumë akuza ndaj individëve” vetëm dëshmojnë kahjen e ecjes së Serbisë.
“Është e tmerrshme që, drejtori i inteligjencës, i shkarkuar për shkak të sanksioneve të Thesarit amerikan dhe akuzave për “bashkëpunim me krimin e organizuar”, të ketë akoma fuqi për të kërcënuar kundërshtarët politik”, potencoi ai.
“Deliktet verbale zakonisht ekzistojnë në regjimet totalitare që nuk lejojnë fjalën e lirë dhe angazhohen për të shtypur formimin e opinionit publik që kundërshton politikën zyrtare. Delikti verbal, i njohur edhe si vepër penale kundër shtetit ose popullit, ishte një term joformal për veprën penale të specifikuar në nenin 133. të Kodit Penal të RSFJ-së”.
Kamberi ka potencuar se në bazë të këtij neni të Kodit Penal janë zhvilluar procese politike ndaj personave që kanë shprehur publikisht mospajtim me veprimet e autoriteteve dhe se të akuzuarit, me mijëra shqiptarë, zakonisht dënoheshin me dënime të drakonike, me arsyen e “ruajtjes së stabilitetit dhe fuqisë së regjimit”.