Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka folur për çështjen e Asociacionit, ku tha se Kosova nuk duhet të lejojë një mekanizim të serbëve që bllokojnë shtetin përbrenda.
Kamberi në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka thënë se Kosova është ajo që duhet të vendos se çfarë do t’u ofrojë serbëve. Por tha se duhet të ketë reciprocitet mes të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në shtetin serb.
“Mendoj se Kosova është ajo që duhet vet të vendos se çfarë do t’iu ofrojë serbëve. Ajo që ne insistojmë është që çfarëdo që ofron të kërkojë për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Pra nuk jemi ne ata që duhet t’i japim mësim Kosovës se çfarë duhet të pranojë se çfarë duhet të refuzojë”, ka deklaruar ai.
Sipas Kamberit, është shumë i qartë qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti sa i përket Asociacionit.
“Është shumë i qartë qëndrimi i Kurtit. Këtë qëndrim e mbrojnë edhe gjithë partitë opozitare se nuk duhet lejuar një mekanizim të atillë të serbëve në Kosovë që do ta bllokojë shtetin përbrenda. Për fat të mirë edhe deklaratat që vijnë nga Washingtoni që nuk do të lejohet një ‘Republika e Re Serbska’, çka tjetër pranon dhe ofron Kosova duhet të lënë në duar të atyre që janë duke negociuar”, përfundoi Kamberi./Prishtinapress/