Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione e ka votuar Projektligji për aderimin në Marrëveshjen për Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Deputetja e VV-së Fatmire Mulhaxha-Kollçaku e quajti shumë domethënës Projektligjin.Albana Bytyqi deputetet e AAK-së tha se kjo parti e përkrah Projektligjin.
Qeveria e Kosovës ditë më parë ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.Kjo marrëveshje do të mundësojë nisjen e procedurave për anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), me seli në Hagë.
Gjithashtu kërkesa e Musli Lekut nga Komuna e Drenasit që ka të bëjë me ndërprerjen e energjisë elektrike nga ana e KESCO-s, u diskutua të enjten në Komision.
Anëtarët e këtij Komisioni, thanë se është e papranueshme për institucionet që të ndërpresin energjinë elektrike një ish-të plagosurit në burgun e Dubravës dhe të paguhen miliona euro për serbët në veri.
Në raportin e dërguar në këtë Komision, Leku thekson se është i plagosur dhe invalid i luftës. Gjithashtu, ai thotë se bashkëshortja e tij është e verbër, me ç’rast ka edhe vendim përkatës të Komisionit Mjekësor Qeveritar. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, kërkoi që pagesa e energjisë elektrike të bëhet edhe për qytetarët që janë në kushte të rënda, siç u paguhet serbëve në veri.
“Nëse Qeveri e Kosovës ka miliona euro për të ndarë për të paguar energjinë elektrike në veri, atëherë duhet edhe personave të tillë t’u paguhet”.
Njëjtë mendon edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi, e cila tha se “është e papranueshme që edhe pas 24 vjet pas luftës të ketë këso ndarje”.