Me të gjitha të metat që i ka, BE është shtëpi e natyrshme për shtetin e Kosovës. Tjetër shtëpi të përbashkët evropiane, Kosova nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Kjo këshillë se çka do të duhej të bënim tash e tutje ne, këndejpari, në përgatitjen e shtetit të Kosovës për tu bërë pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian, nuk vije nga një cinik, por nga një mik i Kosovës, një ish-diplomat i shquar perëndimor, i cili vet është tej mase i dëshpëruar me gjendjen e tanishme të BE-së.
Hungaria, Çekia, Sllovakia, Polonia, sipas këtij diplomati, kanë bërë në të kaluarën, kur ishin shtete kandidate për tu bërë pjesë e ‘Klubit të Brukselit’, krejt çka është dashur dhe çka është kërkuar prej tyre, ndërsa viteve të fundit, udhëheqësitë e këtyre katër shteteve nuk i bëjnë fare hesap vendimet e BE-së për çështjet që sipas këtyre liderëve, nuk janë në interes të tyre, megjithëse, vetë ideja e BE-së nënkupton që privilegjet dhe përgjegjësitë shkojnë së bashku, dhe që sovranitet të mirëfilltë më nuk ka, apo që ai ushtrohet bashkarisht në Bruksel.
Popullizmi, ksenofobia, nacionalizmi kanë marrë hov, jo vetëm në shtetet e ish-kampit komunist, por edhe në shumë shtete të tjera të BE-së.
Bashkimi Evropian, në fakt, është në kërkim të ruajtjes së identitetit themelor të tij, por edhe të krijimit të rrethanave kur do të jetë më funksional, e cila gjë zaten është në krye të ‘Listës së dëshirave’ të kryepolitikanëve të shteteve themeluese të BE-së.
Sidoqoftë, ky diplomat pati një tjetër këshillë të rëndësishme për ne, këtu në Kosovë.
Sipas tij, mbi të gjitha, është interes jetik i vetë qytetarëve të Kosovës, i politikanëve të këtij vendi, që ta shndërrojnë Kosovën në një shtet stabil evropian, para se të mbërrihet në cakun final të ngritjes së flamurit tonë në selinë e BE-së në Bruksel. Dhe natyrisht, është në interesin tonë që të mbetemi demokraci stabile, t’i shmangemi popullizmit, edhe pasiqë t’i marrim ‘letrat’ formale që jemi bërë shtet anëtar i BE-së.
Me të gjitha të metat që i ka, BE është shtëpi e natyrshme për shtetin e Kosovës. Tjetër shtëpi të përbashkët evropiane, Kosova nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Me gjasë, kjo fjali është komenti apo interpretimi më i saktë dhe më i miri i mundshëm që ne këndejpari mund ta bëjmë, pas shpalljes së Strategjisë për zgjerimin e BE-së me gjashtë shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimorë.
Me këtë Strategji, edhe formalisht iu dha lamtumira ‘lodhjes me zgjerimin e BE-së’ (që ka qenë politikë zyrtare e Brukselit në katër vitet e fundit, që prej pranimit të Kroacisë), dhe u mëkëmbë perspektiva që harta politike e BE-së të rrumbullakësohet për një periudhë afatgjatë kohore, me gjashtëshen ballkanike dhe pa Britaninë e Madhe.
Ne në Kosovë kemi arsye sa të duash të jemi të pakënaqur, të shqetësuar dhe të dëshpëruar me formulimet që janë gjetë në këtë dokument për Kosovën. Edhe një herë, të gjithë ne e marrim vesh që rasti i Kosovës është më i ndërlikuari se i të gjitha shteteve të tjera të cilat i janë qasur ndërmarrjes së anëtarësimit në BE, që prej rënies së ‘Perdes së hekurt’ (përfundimit të ‘Luftës së ftohtë), e këndej. Çelësi real i problemeve tona në këtë rrugëtimit drejt Evropës është fakti që pesë shtete të BE-së nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe që me mekanizmat vendimmarrës që janë sot në fuqi në Bruksel, ky pesëshi, ka vlerë më të madhe politike se i njëzet e tri shteteve të tjera (ku janë edhe të gjitha shtetet themeluese të BE-së), të cilat njohën shtetin e Kosovës brenda tetë mujave të ekzistimit të tij. Gjithçka do të ishte ndryshe, përfshirë këtu edhe dialogun e Kosovës dhe të Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, sikur BE të ishte e bashkuar rreth Kosovës.
Sidoqoftë, Kosova është e pranishme në Strategjinë për zgjerimin e BE-së, dhe në Bruksel, aktualisht, të gjithë e dinë që Kosova herët apo vonë do të bëhet shtet anëtar i BE-së, dhe askush nuk e di se si do të rrjedhë ky proces për ne, jo për shkak të Serbisë dhe dialogut në Bruksel, por në vijim të qëndrimit të këtyre pesë shteteve që ende hezitojnë ta njohin Kosovën.