Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka shfuqizuar sot katër dekrete për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë.
E për këtë ka reaguar deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, e cila ka thënë se populli po e pret edhe shkarkimin e burrit të saj.
“Vjosë, Kosova po e pret shkarkimin e burrit tënd, i cili gjithë ditën rri në Prishtinë por e merr pagën e konsullit në Shkup”, thuhet në reagimin e Kadrijajt.
Ndryshe, përmes një komunikate Presidenca ka njoftuar se në përputhje me përgjegjësitë e saj kushtetuese si dhe bazuar në praktikat diplomatike e konsullore, Osmani ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm, konkretisht për konsujt e përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.