Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.
Siç raporton REL me burime pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë njoftuan se Kadare “pësoi arrest kardio-respirator”.
Shtëpia Botuese “Onufri” ka njoftuar se Kadare ka vdekur në ora 08:50 në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ajo ka thënë se për ceremoninë e përcjelljes do të njoftojnë më vonë.
Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër – një qytet i vogël në malet e jugut të Shqipërisë.
Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja.
Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.
“Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, gazeta amerikane Boston Globe e përshkroi si “roman të fuqishëm dhe prekës”.