Ish-deputetja Donika Kadaj-Bujupi, e quan “të pafalshme” deklaratën e sotme në Kuvendin e Kosovës, të Mimoza Kusari-Lilës për deputetët e Listës Serbe dhe veteranët e UÇK’së.
Kusari – Lila tha se e kishte pyetur përfaqësuesin e Listës Serbe se “nëse do të ketë protesta për Projektligjin, a do të jeni edhe ju pjesë e protestave”, duke aluduar kështu në protestën që kishin thirrur shoqatat e dala nga lufta.
Ndërkohë Kadaj-Bujupi thotë se kjo deklaratë është e ngjashme me atë të Jabllanoviqit, vite më parë, për të cilën, Jabllanoviqi ishte shkarkuar.
Jabllanoviq kishte nxitur protesta mbarë popullore në janarin e vitit 2015, pasi i kishte quajtur “egërsira” nënat gjakovare.
“Më e pakta që mundem me thënë është që e ka cenuar në njëfarë forme dinjitetin e veteranëve. Është një krahasim banal”, tha Kadaj-Bujupi në emisionin “Pressing” në T7.
“Ne kemi protestuar njëherë kundër Jabllanoviqit edhe kjo deklaratë nuk është aspak më e butë dhe po vjen prej shefes së Grupit Parlamentar që përfaqëson 51 për qind të qytetarëve dhe unë po pres që ka me pas një distancim kryeministri i pari, mandej deputetët dhe mandej grupi parlamentar e cila nuk e di a do të jetë e mjaftueshme”, tha ajo.
“Askush prej neve nuk ka të drejtë me dalë në opinion edhe me bo një krahasim ndërmjet Listës Serbe dhe veteraneve, me i qit me një anën. Po unë po e bëj një paralele ndërmjet deklaratës së Jabllanoviqit dhe Kusari-Lilës për veteranët”, shtoi Kadaj-Bujupi.
“Kjo deklaratë është krejt e pafalshme”, theksoi ajo.