Analistja Donika Kadaj Bujupi ka thënë se LDK është treguar gjithmonë joparimore kur ka lidhur koalicione me parti tjera për të formuar qeveri.
Në emisionin Pressing në T7 është duke u diskutuar për koalicionet qeveritare në historinë e Kosovës dhe kohëzgjatjen e tyre.
Kadja Bujupi, që ka qenë deputete 5 herë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se LDK gjithmonë ka lejuar që deputetë të saj të ofendojnë pjesëtarët e koalicionit.
“Për LDK-në s’kemi as çka me folë, ka luajtur lojë të ndyrë”, ka thënë ajo.
“Ne kemi pasur rastin kur ata kanë thënë se këta na kanë vrarë, kanë përdorur edhe emra, e apstaj brenda natës kanë lidhur koalicion me ta dhe pastaj gjithçka është harruar. E kanë shfrytëzuar këtë vetëm për vota”, ka thënë ajo.
Tutje ajo ka thënë se disa prej deputetëve që kanë ofenduar UÇK-në, kanë qenë ata që kanë ecur përpara në karrierë.
“Ata që kishin sulmuar UÇK-në, cuditërisht sot i keni në qeveri. Ata kanë vazhduar të ecin përpara në karrierë”, shtoi ajo. /Gazeta Express/