Site icon PrishtinaPress

Ka vonesa në pagesën e tatimit në pronë, komunat: Paqartësinë po e krijon Ministria e Financave

Vendimi për ngritjen e çmimit të tatimit në pronë, kishte sjell përplasje dhe paqartësi ndërmjet Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) dhe Ministrisë së Financave (MF).

Ngritja e vlerës së tatimit në pronë ishte bërë në muajin janar dhe me këtë qytetarët nga i gjithë vendi patën reaguar, duke mos u pajtuar me këtë vendim.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi tha se kjo paqartësi është krijuar nga MF-ja, duke shtuar se tashmë qytetarët nuk po shprehin gatishmëri për ta paguar këtë tatim.

“Kemi të dhëna nga zyrtarët financiar të komunave se qytetarët nuk po shprehin gatishmëri dhe vullnet për ta paguar tatimin në pronë. Ka një paqartësi nga Ministria e Financave, e cila duhet të del me një sqarim. Pasi që në fillim është thënë se do t’iu paguhen nga 100 euro ose do të ndryshohet vendimi, por deri më tani është çdo gjë e paqartë”, tha Ibrahimi

Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte propozuar që secilit tatimpagues në vend t’iu falen 100 eurot e para të tatimit të tyre në pronë.

Ndërkaq, AKK-ja ka kërkuar nga MF-ja që vendimi për ri-vlerësimin e pronave të pezullohet dhe që qytetarët e Kosovës të paguajnë vlerën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, ashtu siç e kanë paguar në vitin 2022.

Lidhur me këtë vendim, ka reaguar edhe KMDLNJ duke thënë se me anë të kësaj rritje po plaçkiten qytetarët.

“Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati tërë përgjegjësinë për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë e adresoi te komunat duke deklaruar se këto mjete shkojnë në buxhetin e komunave në kohën kur komunat po arsyetohen se ministria përkatëse ka përgjegjësi dhe se komunat nuk kanë as mundësi e as përgjegjësi ligjore të ndërhyjnë në vendimet e ministrisë. Realisht, qytetarët e Kosovës që pamëshirshëm po plaçkiten, qoftë nga një vendim diskriminues i ministrisë, qoftë nga mungesa e kompetencave të komunave të ndërhyjnë në caktimin e shumës së tatimit në pronë, janë të pafuqishëm të mbrojnë buxhetin familjar dhe biznesor”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së./PrishtinaPress/

Exit mobile version