Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë, kryetari i Sindikatës se Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë se pjesëtarët e PK-së meritojnë trajtim më të dinjitetshëm.
Ai ka thënë se pjesëtarët e policisë përballën me sfida të mëdha dhe sipas tij qeveria duhet të marrë parasysh kërkesat e tyre. Në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë, Zeqiri ka treguar se që nga fillimi i pandemisë 25 zyrtarë policorë kanë ndërruar jetë.
Zeqiri shprehi shqetësimit për trajtimin e policëve ku tha se policia duhet të ketë trajtim më të dinjitetshëm. Ai me këtë rast ka shprehur pakënaqësinë lidhur me koeficientin për paga për Policinë e Kosovës.
“Aktualisht PK numëron 9 mijë 119 punonjës, përfshirë edhe stafin civilë. Prej themelimit të PK kemi 21 zyrtarë të vrarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kemi 426 zyrtarë që janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës, 237 zyrtarë që janë sëmurë gjatë kryerjes së detyrës dhe 528 raste me sëmundje të veçanta. Prej fillimit të pandemisë kemi 25 zyrtarë policorë që kanë humbur jetën nga pandemia dhe 2 mijë e 500 zyrtarë që janë infektuar dhe besoj që këto shfira janë një tregues i sfidave të zyrtarëve policorë për gjatë këtyre viteve. Punonjësit e Policisë së Kosovës duhet të kenë një trajtim me të dinjitetshëm. Projektligje për pagat, na është ofruar një projektligj bashkë me koeficientet që janë prezantuar, për sindikatën e Policisë së Kosovës që në start është i papranueshëm për shkak se nuk kemi çmim të koeficientit. Është i papranueshëm rangimi i koeficientëve në PK në krahasim me institucionet e tjera”, ka thënë ai.
Sipas tij kjo është diskriminuese për Policinë e Kosovës.
“Punë me rrezikshmëri dhe sfida, policët punojnë në hetime, aktualisht prokurori në krahasim me këtë polic i merr pesë paga. Është i papranueshëm projektligji i cili na është ofruar me këta koeficientë”, ka thënë ai.
Si shqetësim ai ka ngritur edhe mungesën e sigurimeve shëndetësore.
“Neve si sindikatë kemi kontaktuar edhe me Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe mund ta bëjmë një sigurim shëndetësor derisa të bëhet ligji që të mos mbesin zyrtaret pa sigurim. Me 5 milion në vit ne mund të bëjmë një sigurim shëndetësor për Polici ë e Kosovës. Nëse qeveria ka vullnet me na u përgjigjë në këtë çështje”, ka thënë ai.
Ndër të tjera ai ka përmendur edhe policët të cilët ndër vite janë larguar nga ky institucion që sipas kjo ka ndodhur për shkak se të njëjtit kanë gjetur mundësi më të mirë.
“Mund t’i humbasim profesionistet për të cilët është investuar me vite të tëra për me arrite atë profesionalizëm”, ka shtuar ai.
Kryetari i Sindikatës së PK-së ka thënë se nuk janë të ndikuar nga politika dhe se asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë presion nga pushteti apo partitë e tjera politike.
Ai ka thënë se më 20 dhjetor të vitit të kaluar kanë zhvilluar takim me ministrin e Punëve të Brendshme.
“Mendoj që kemi prek të gjitha çështjet që na preokupojnë neve dhe që duhet të avancohen në Policinë e Kosovës. Ishte një kërkesë e jona për atë kohë për një shtesë si shpërblim për fundvit e që nuk na është realizuar dhe nuk kemi marrë përgjigje pse nuk është kryer kjo punë”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se nga informacionet jo të konfirmuara, shumë zyrtarë polciorë kanë aplikuar për viza e që kjo sipas tij është edhe shqetësuese.
“Është shqetësuese puna e policëve që kanë lëshuar punën dhe ka indikacione që do të vazhdojë kjo dukuri për shkak se sigurisht ata e kanë arsyen sepse po gjejnë më mirë. Nuk e kam një statistikë por informacione të pakonfirmuar ka shumë zyrtarë policorë kanë aplikuar për viza dhe janë duke pritur, dhe kjo më të vërtetë është shqetësuese”, tregoi ai.