Juventusi është fitues i ndeshjes së parë çerekfinale.
Skuadra nga Torino ka mposhtur në “Juventus Stadium” Barcelonën me rezultat 3-0.
Juventusi e filloi shumë mirë ndeshjen ku edhe u shpërblye. Pas vetëm shtatë minutash lojë, sulmuesi argjentinas, Paolo Dybala gjeti rrjetën pas një asisti të Juan Cuadrado.
Barcelona e pati rastin shumë të mirë për të barazuar, kur Iniesta doli i vetëm para portës, mirëpo Buffon arriti të pres gjuajtjen e tij.
Nuk zgjati shumë dhe në skenë u paraqit Dybala, ku pas një depërtimi të Mario Mandzukic nga krahu i majtë shënoi për 2-0.
Me epërsi të dyfishtë, Zonja e vjetër shkoi në pushim pas pjesës së parë.
Pjesa e dytë filloi aty ku mbaroi e para, me Barcelonën në posedim ndërsa rastet ishin për italianët.
Në minutën e 55-të, pas një krosimi nga këndi të Miralem Pjanic me i gjati në zonë ishte Chiellini i cili shënoi golin e tretë për skuadrën e tij.
Ndeshja kthyese do të zhvillohet në “Camp Nou” të mërkurën e ardhshme me 19 prill.