Kampioni i Italisë ka shënuar edhe fitoren e tretë në tre ndeshjet e para të Series A.
Djelmoshat e trajnerit Max Allegri kanë shënuar fitore në shtëpi me rezultat 3-1 ndaj Sassuolos.
Forca dhe serioziteti i ‘Zonjës së Vjetër’ u pa në fillim të takimit pasi shënuan golin e parë pas vetëm pesë minutave lojë.
Ishte transferimi 90 milionësh i klubit, Gonzalo Higuain, i cili shënoi një gol të bukur pas asistimit të Paolo Dybalas.
Sulmuesi argjentinas shënoi edhe një supergolin e dytë në minutën e 10-të, pas asistimit nga mesfushori gjerman, Sami Khedira.
Luhej minuta e 27-të e takimit, kur Juventusi shënoi edhe njëherë me anë të mesfushorit boshnjak, Miralem Pjanic, për 3-0 dhe ky gol edhe vulosi thuajse fitoren.
Golin e parë dhe të vetëm për Sassuolon e shënoi mbrojtësi, Luca Antei, i cili shënoi nga afërsia në minutën e 33-të pas një gafe të madhe nga Buffon.
Pjesa e dytë më shumë shërbeu për t’i bërë disa zëvendësime trajnerit Allegri, i cili inkuadroi të riun kroat, Marko Pjaca.
Në pjesën e dytë të dy skuadrat patën disa gjysmë-raste dhe në fund takimi përfundoi me fitoren e Juves 3-1 ndaj Sassuolos. /Telegrafi/