Site icon PrishtinaPress

Juve shumë pranë titullit, Interi pak shpresa për Evropë

Pesë gola, dy përmbysje dhe dy kartonë të kuq është epilogu i derbit të xhiros së 35-të Serie A mes Interit dhe Juventusit, i fituar nga këta të fundit me rezultat 2:3.
Fillimi i ndeshjes kaloi nën dominimin e lehtë të Juventusit, që përmes disa depërtimeve në krah u shkaktonte probleme mbrojtjes së Interit.

Ky dominim i solli edhe golin e epërsisë Juventusit në minutën e 13’, që shënoi me Douglas Costan, që pranoi një top nga Juan Cuadrado.

Dy minuta më vonë, situata për Interin u bë edhe më e rëndë, kur Vecino u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër në kroatin Mario Mandzukic.

Me një lojtar më shumë në fushë, Juventusi po kontrollonte ndeshjen në pjesën e parë, por rezultati 0-1 mbeti i pandryshuar, për të shkuar me këtë rezultat në zhveshtore.

Fillimi i pjesës së dytë solli një Inter krejt tjetër në fushë, i cili edhe pse me një lojtar më pak arriti të gjejë golin e barazimit në minutën e 52’ përmes Icardit, që u asistua nga Cancelo.

Interi nuk u ndal me kaq, dhe në minutën e 65’ bëri atë që pak kush e ka menduar, përmbysjen e rezultatit me një lojtar më pak, kur një top të rrezikshëm të dërguar në zonë e dërgoi në rrjetë mbrojtësi i Juventusit, Andrea Barzagli, që shënoi autogol.

Juventus nuk u dorëzua deri në fund, për të treguar se jo rastësisht është në krye të Serie A, duke arritur të shënojë dy gola, me anë të Cuadrados në minutën e 87’ dhe Higuain në minutën e 89’.

Goli i Higuain solli edhe ndëshkimin me karton të kuq të Massimiliano Allegrit, që hyri në fushë për të festuar golin e sulmuesit argjentinas.

Me këtë fitore Juventusi numëron 88 pikë, katër më shumë se Napoli që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Exit mobile version