Site icon PrishtinaPress

Juristi i VV-së: As ne e as LDK s’kemi deputetë të mjaftueshëm madje as me propozu kandidat për president

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Më 6 tetor, sovrani shfrytëzoi të drejtën e votës, derisa shumica vendosi për ndryshim.

Dy partitë që dolën të parat nga këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ani pse kanë shprehur disponim për ndërtimin e një koalicioni, edhe pas shumë takimeve nuk kanë arritur një marrëveshje.

Derisa dy subjektet politike janë dakorduar për program qeverisës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për ndarjen e posteve, gjegjësisht atë të presidentit, shkruan Indeksonline.

Por, juristi dhe publicisti që iu bashkua VV-së, Getoar Mjeku, madje kandodi për deputet, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook ka thënë se as VV dhe as LDK nuk kanë mjaft deputetë as për t’i propozu kandidatët për president, e le ma për ta zgjedhë presidentin.

“Sipas kushtetutës, kreun e shtetit e zgjedh Kuvendi me votë të fshehtë (neni 86.1). Por lypsen nënshkrimet e 30 deputetëve për ta nominu një kandidat për president, dhe i njëjti deputet nuk mund të nënshkrujë për dy veta (neni 86.3).

Deputetët mund të votojnë tri herë. Dy herat e para, zgjedhet president kandidati që merr dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve (neni 86.4). Dy të tretat i bie 80 prej 120 deputetëve.

Nëse kurrkush s’i merr 80 vota dy herat e para, zgjedhet president kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve (neni 86.5) — pra, 61 nga 120”, ka shkruar Mjeku.

Ai tutje ka thënë se ka edhe dy kushte të tjera, të cilat i ka shpjegu Gjykata Kushtetuese në rastin e presidentit Pacolli.

“Së pari, në garë duhet me pasë dy kandidatë. Së dyti, 80 deputetë duhet të marrin pjesë në secilin votim. Përndryshe, zgjedhja nuk është e vlefshme (rasti KO29/11).

Kështu, çdo marrëveshje e mundshme për kryetarin e republikës do duhej me i përfshi partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës, që janë përfaqësues të komuniteteve joshumicë. Sepse duhen 60 deputetë vetëm për ta plotësu kushtin e dy kundërkandidatëve.

Porse kuorumi prej 80 deputetëve s’mund të përmbushet pa bashkëpunimin e sundimtarëve të tashëm nga PANA ose Lista Srpska. Këta bashkë kanë 53 ulëse në Kuvend.

Kanë kalu mbi dy muaj prej zgjedhjeve të 6 tetorit. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka marrë mandatin e qartë popullor për ta formu qeverinë e re. Lëvizja ka siguru përkrahje nga komunitete joshumicë, ka përafru programin qeverisës me LDK-në, dhe tani po pret përmbylljen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Të dyja subjektet kanë premtu se nuk do të bëjnë koalicion me Panën ose Srpskën”.

Në fund juristi thotë se dyshja LVV–LDK duhet të arrijë sa ma shpejt marrëveshjen për qeverinë. Tani as është koha e as janë mundësitë me u marrë me presidentin.

“Kur të vijë radha, kryetar shteti duhet të zgjedhet një qytetar i respektuar që përfaqëson njëmend popullin dhe mbron demokracinë në vendin tonë. Se ndryshe s’lejon fryma e kushtetutës.

Të punojmë atëherë mbarë e mirë për Dardaninë”/

Exit mobile version