Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dalë në foltore, pas rinisjes së seancës plenare, ku paraprakisht u ushtrua dhunë fizike mes deputetëve të PDK-së dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Ai e quajti të papranueshme dhunën e ushtruar të enjten në Kuvendin e Kosovës, raporton Paparaci.
“Ne i kemi betejat tona, ne i kemi mosmarrëveshjet tona, ne i kemi si forca politike, papajtueshmëritë tona të thella nganjëherë, por ato mos-pajtime gjithmonë le të themi i bëjmë nder vendit dhe Kosovës, nëse i mbajmë në nivelin e funksionimit të domosdoshëm, minimum normal të funksionimit të institucioneve demokratike”, tha ai, pas pauzës dy orëve të deputetëve.
Konjufca u bëri thirrje deputetëve që ta marrin me qetësi punën dhe “t’i kalojmë së bashku këto ditë të vështira për vendin tonë”.
“Deri tash, ia kemi arritur me sukses dhe kanë qenë më shumës e 2 vite që është kjo legjislaturë, unë po iu bëj thirrje ta merrni me qetësi punën që e bëjmë së bashku dhe ta kalojmë këtë ditë ditë të vështirë për vendin tonë”, tha ai.
Po ashtu, ai u kërkoi deputetëve “një minimum sjelljeje, që do t’i kishte gëzuar qytetarët tanë nëse e shohin.”.
Sipas tij, me rastin e përleshjes së sotme merren organet e tjera dhe jo Kuvendi. Prandaj, shtoi që duhet të kalohet kjo gjendje.
“S’i kemi kursyet fjalët më të rëndës për njeri-tjetrin, por ato janë fjalë, kur kalohet prej fjalëve në goditje, ato si veprime si pastaj nuk janë vetëm që trajtohen në kuvendin e Kosovë, por e tejkalojnë atë. Me to merret një pushtet tjetër i veçantë. A duam ne që të kalojmë atë gjendje, a është për deputetin e denjë një sjellje e tillë, unë them që jo. Unë po e di që edhe në shpirtin juaj po e ndjeni kështu”.
Mes tjerash, Konjufca tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po heq dorë nga fjala e tij që e kishe pasur gjatë seancës paradite, për të vijuar më pas me pyetjet parlamentare që deputetët i kanë kërkuar.
“Unë bisedova me kryeministrin e Kosovës, ai po heq dorë nga fjala e tij. Dhe nëse ne si deputetë, e kmi një mirëkuptim, për me vazhdu në një pikë tjetër, dalim te një pikë tjetër, dhe vazhdojmë te pyetjet parlamentare dhe është procedura normale politike që ato me vazhdu. Këtë e presin qytetarët prej nesh, për tjerat merren organet e tjera që e kanë përgjegjësinë kushtetuese”.
“Ju kisha lutur, për këtë kapitull të ri që duhet me hapë, pas kësaj dite të vështirë, pas veprimeve të papranueshme. Urojmë të mos përsëritet më. Nëse e kam mirëkuptimin mirë, nëse jo, do të ishte ogur i zi për Kosovën, i cili mendoj që na çon në faza krejt të paparashikueshme edhe për Kosovën dhe për qytetarët tanë. Ju lutem mos të bëhemi përgjegjës për diçka që nuk do të donim ta shihnim vendin tonë në atë gjendje”, përfundoi Konjufca.