Millan Jovanoviq, i cili mbrëmë vonë u transportua në QKS në Mitrovicën e Veriut, pasi u plagos në afërsi të urës së Bistricës afër Zveçanit, ka thënë se gjithçka ka ndodhur kur ai po kthehej në shtëpi nga Leposaviqi dhe se nuk është i sigurt se kush e ka plagosur.
“Mbrëmë, pasi u ktheva nga Leposaviqi poshtë në Bistricë, pasi kalova nëpër postbllok, dëgjova një të shtënë dhe një dhimbje në shpatull. Nuk mund të jem 100% i sigurt se kush qëlloi, por “nuk besoj se ka pasur njeri tjetër atje përveç ushtrisë dhe policisë së tyre”. Dëgjova plasaritjen e xhamit prapa dhe përpara dhe sinqerisht u tremba, vazhdova, u nisa për në shtëpi. Arrita në deri në vendin e quajtur “Guri i larmë” dhe çfarë ndodhi më pas, ku është vetura, kush më solli, nuk e di”, ka thënë Jovanoviq.
Pas pranimit në QKS në Mitrovicën e Veriut, Jovanoviq është operuar në repartin e kirurgjisë dhe sipas kirurgut kujdestar, ai është jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e tij ende po monitorohet.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke i hetuar rrethanat e plagosjes, derisa tha se i plagosuri aktualisht ndodhet në Spitalin e veriut duke marrë trajtim mjekësor.
PK-ja thotë po ashtu se një njësitë policor ndodhet në Spitalin e qytetit dhe po kryen hetime intensive.
“Nga aty kan pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në krahror nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij. Policia e Kosovës, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.”, ka njoftuar policia.
Tutje Policia ka sqaruar edhe raportimet e mediave serbe se ky institucion është përfshirë në gjuajtje me armë zjarri.
“Andaj, bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshir në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri, dhe mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të rastit të personit të plagosur i cili gjendet duke u trajtuar në qendren spitalore në Mitrovicë Veriore, ku sipas mjekëve është jasht rrezikut për jetë.”, njofton tutje PK-ja.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për media
Prishtinë, 11 prill 2023
Policia e Kosovës me datë 10.04.2023 rreth orës 23.48 ka pranuar një informacion lidhur me dyshimet për plagosje me armë zjarri, të një personi në veri të vendit.
Njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore lidhur me hetimin dhe verifikimin e informacionit të pranuar, duke përfshirë edhe dërgimin e një njësie policore në spitalin e Mitrovicës Veriore.
Nga aty kan pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në krahror nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij.
Policia e Kosovës, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.
Vlen të potencojmë dhe njëherit të sqarojmë se, Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar.
Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricë në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherit ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar.
Andaj, bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshir në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri, dhe mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të rastit të personit të plagosur i cili gjendet duke u trajtuar në qendren spitalore në Mitrovicë Veriore, ku sipas mjekëve është jasht rrezikut për jetë.
Po ashtu ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës./PrishtinaPress/